Lidhje

Bush, Putin, bisedojnë për sistemin mbrojtës nga raketat dhe Iranin


Presidenti rus Vladimir Putin propozoi vizionin e tij për një sistem të mbrojtjes së Europës, duke iu kundërvënë sistemit të planifikuar nga Shtetet e Bashkuara i cili favorizohet nga Presidenti Bush. Pas bisedimeve në kompleksin e familjes Bush në shtetin Mejn, zoti Putin tha se ai nuk shikon ndonjë nevojë për të instaluar disa pjesë të sistemit në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Zoti Bush u përgjigj se këto dy vende janë pjesë përbërëse e planit. Megjithatë, Presidenti Bush nuk e hodhi poshtë plotësisht vizionin e Presidentit Putin, duke thënë se ky ishte një vizion shumë i sinqertë dhe novator.

Plani i udhëheqësit rus parashikon angazhimin në projekt të NATO-s dhe të gjithë vendeve evropiane. Ai parashikon gjithashtu, që një pjesë e këtij sistemi ta ketë bazën ose në Azerbajxhan, ose nëse është e nevojshme, në një kompleks të ri, që do të ndërtohej në Rusinë jugore.

Dy udhëheqësit treguan më tepër unitet për Iranin, duke iu referuar bashkëpunimit me përpjekjet në vazhdim të Perëndimit, për të frenuar veprimtaritë bërthamore të Teheranit. Ata premtuan të punojnë me Këshillin e Sigurimit për të inkurajuar Iranin të ndalë programin e tij për pasurimin e uraniumit.//lk

XS
SM
MD
LG