Lidhje

Shtyrja e zbatimit të planit Ahtisari do të tensionojë unitetin SHBA-BE


E ardhmja e Kosovës ishte ndër çështjet e diskutuara nga Presidenti Bush dhe Presidenti Putin gjatë takimit të tyre dje në Kenibankport të shtetit Mejn. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mospajtime lidhur me planin Ahtisari për pavarësi të kushtëzuar. Analistët paralajmërojnë se vonesat në zbatimin e këtij plani po tendosin unitetin amerikano-evropian:

Kanë kaluar më shumë se 3 muaj që kur ish-presidenti finlandez Marti Ahtisari parashtroi planin e tij për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Ky plan, që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe 4 vende evropiane, kundërshtohet nga Rusia. Plani ndërthur pavarësinë e Kosovës me garanci për sigurinë e pakicave serbe në Kosovë.

Rusia ka kërcënuar se do të vërë veton për të mos lejuar që Këshilli i Sigurimit të mbështesë planin Ahtisari. Moska kërkon vazhdimin e negociatave.

Qeveria e Kosovës, pas vitesh të gjata dhe tensionuese pritjesh për zgjidhjen e statusit, ka paralajmëruar se do të veprojë në mënyrë të njëanshme duke shpallur pavarësinë. Stiven Majer i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington thotë se kjo do të krijonte probleme për diplomacinë amerikane:

"Nëse Shtetet e Bashkuara e njohin këtë pavarësi, bëhet shumë më e vështirë për Uashingtonin të deklarojë se respekton të drejtën ndërkombëtare, procedurat demokratike etj, nëse një territor në mënyrë disi të paligjshme, kundër vullnetit të Kombeve të Bashkuara, zgjedh këtë rrugë. Nëse nuk e njohim shpalljen e pavarësisë së Kosovës, hasim në probleme me shumicën shqiptare, e cila është treguar pro-amerikane, por do të na shikonte më pas me sy tjetër," thotë profesor Majer.

Zoti Ahtisari propozon që Bashkimi Evropian të marrë përsipër rolin e mbikqyrësit ndërkombëtar dhe përgjegjësitë paqeruajtëse nga Natoja. Aleksandros Malias, specialist i çështjeve të Ballkanit, dhe ambasadori i Greqisë në Uashington, thotë se Bashkimi Evropian nuk mund të marrë përsipër përgjegjësi në Kosovë pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së:

"Për këtë arsye është e nevojshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të mbështesin këtë masë. Kjo nënkupton mbështetjen e Rusisë. Prandaj mendojmë se është e rëndësishme të vazhdojmë dialogun me Rusinë. Kosova është kryesisht një çështje evropiane. Ajo ndodhet në Evropë dhe u përket çështjeve diplomatike të Evropës," thotë ambasadori grek.

Amerikanët dhe evropiano-perëndimorët e pranojnë në vija të përgjithshme se Kosova do të fitojë pavarësinë. Por profesori Stiven Majer thotë se nëse vazhdojnë vonesat, uniteti mes tyre do të bëhet gjithnjë e më i brishtë, ndërkohë që disa evropianë vazhdojnë të kundërshtojnë idenë që një pjesë e një vendi sovran mund të shkëputet si vend i pavarur. Ata argumentojnë se kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Në takimin e tyre në shtëpinë e pushimeve të familjes Bush në Mejn, Presidenti Bush dhe Presidenti Putin e diskutuan këtë çështje, por siç duket nuk kanë shënuar ndonjë përparim të dukshëm.

Këshilltari për Sigurimin Kombëtar Stiven Hedli tha se ata janë të mendimit që duhet të vazhdojnë diskutimet me aleatët evropianë dhe Kombet e Bashkuara “për të parë nëse mund të gjendet një zgjidhje.” //ad//

XS
SM
MD
LG