Lidhje

Thelbi i mosmarrëveshjeve SHBA - Rusi për Kosovën


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë mosmarrëveshje lidhur me çështjen e Kosovës. Në vazhdim, i hedhim një vështrim pikëpamjeve të ndryshme lidhur me këtë çështje:

Teknikisht, Kosova, me shumicën e banorëve të saj shqiptarë, vazhdon të jetë pjesë e Serbisë. Por ajo ka qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s, që kur kjo e fundit i dëboi me forcë forcat e Sllobodan Millosheviçit nga Kosova, në vitin 1999. Plani i të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisaari, bën thirrje për pavarësinë e Kosovës, nën mbikqyrjen ndërkombëtare.

Shqiptarët e Kosovës e pranuan planin, ndonëse me disa rezerva, ndërsa Serbia e hodhi poshtë atë tërësisht. Zyrtarët serbë thonë se Kosova ka qenë dhe do të jetë kurdoherë pjesë e Serbisë. Washingtoni dhe Moska kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me meritat e planit Ahtisari. Shtetet e Bashkuara e mbështesin me forcë pavarësinë e Kosovës.

Rusia e kundërshton atë dhe ka kërcënuar se do t’i verë veton, në se propozimi kalon për votim në Këshillin e Sigurimit. Në takimin e fundit në Kenenbankport të Meinit, Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, diskutuan edhe për Kosovën, por nuk u bë i njohur ndonjë rezultat.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Srephen Hadley, u tha gazetarëve se diplomatët e të dyja palëve do t’i vazhdojnë bisedimet për këtë çështje. Robert Legvold, ekspert për Rusinë në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, thotë se mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Moskës për këtë çështje janë të thella dhe thelbësore.

"Rusët e kundërshtojnë me vendosmëri pavarësinë e Kosovës dhe mendoj se amerikanët janë të bindur, se në se do të preferonin ata apo jo, në rast se nuk e mbështesin pavarësinë, atëhere qytetarët e Kosovës, apo qeveria e tyre do ta deklarojnë pavarësinë vetë dhe do të humbë kontrolli i situatës. Unë mendoj se Rusët e kanë shumë seriozisht parandalimin e një zgjidhjeje të cilën serbët nuk e kanë pranuar si një kompromis reciprok dhe nuk ka të dhëna, që diçka e tillë mund të ndodhë. Prandaj, mendoj, se rusët janë të përgatitur, që në fund, në se arrihet deri këtu, ata t’i venë veton rezolutës për Kosovën." - thotë eksperti.

Legvold thotë se një veto e mundshme e rusëve, do të kishte pasoja të rrezikshme në rajon. Xhejson Lajell, ekspert për Rusinë, në Universitetin Princeton, është i të njëjtit mendim.

"Në se Rusia i ve veton rezolutës për Kosovën, dhe pastaj kjo e fundit deklaron pavarësi të njëanshme, atëhere SHBA, ndoshta do ta njohin pavarësinë e Kosovës, por BE-ja do të jetë e ndarë. Atëhere mund të ndodhë një ngjarje e rëndësishme diplomatike dhe mund të ndodhë që të ketë edhe trazira në rajon." - thotë Lajell.

Eksperti Lajëll thotë se kundërshtimi i Rusisë për pavarësinë diktohet jo thjesht nga dëshira për t’u qëndruar në krah vëllezërve të tyre serbë. Ai thotë se Moska shqetësohet se kjo mund të krijojë një precedent ligjor në polikën botërore.

"Në se Kosova shpall pavarësinë, atëhere do të krijohet një precedent ligjor për ndërhyrjen e huaj edhe në vende të tjera, për të justifikuar dhe legalizuar lëvizjet separatiste. Dhe Moska e sheh Kosovën me sytë e Çeçenisë. Ajo po ashtu e lidh këtë çështje me eksperiencën e Çeçenisë dhe republikave të tjera të saj në jug të vendit. Pra, Moska e shikon rastin e Kosovës si një precedent ligjor, që nuk dëshiron ta prekë. Por nuk e di në se Perëndimi do të përdorë një politikë të zhdërvjellët me Rusinë. Pra, këtu nuk hyn aspak çështja e Serbisë, por është ajo e precedentit ligjor që do të vendosje dhe pikërisht për këtë do të këmbngulë Rusia."

Ekspertët thonë se shumë qeveri po e ndjekin me vëmendje se si do të zgjidhet çështja e Kosovës, duke pritur q[ ajo do t'i shtonte prirjet seperatiste të popullsive të ndryshme etnike, në vendet e tyre.//lk

XS
SM
MD
LG