Lidhje

Serwer: Kosova u la në hije nga çështjet e tjera në takimin Bush-Putin


Eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Serwer e shikon si dështim për diplomacinë amerikane faktin që Kosova nuk zuri shumë vend në takimin Bush-Putin në Kennebunkport të shtetit Maine por iu la ministrave të jashtëm të dy vendeve për diskutim. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, ai tha se amerikanët duhet ta bëjnë shumë të qartë se nëse çështja e Kosovës nuk zgjidhet në Këshillin e Sigurimit atëhere ata do të përpiqen ta realizojnë jashtë OKB-së.

Zëri i Amerikës: Si do ta komentonit faktin që Presidentët Bush dhe Putin e lanë çështjen e statusit të Kosovës për t’u diskutuar nga sekretarët e shtetit, pra në një nivel më të ulët. A tregon kjo ndoshta se Kosova ishte ndër problemet më të vështira të takimit?

Daniel Serwer: Patjetër që është një çështje e vështirë por mendoj se është më tepër një shenjë se Kosova nuk u konsiderua si një ndër kryesoret midis shumë çështjeve të tjera që ekzistojnë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Më duket se Kosova nuk arriti të hyjë në çështjet kryesore. Padyshim që kalimi i këtij problemi tek ministrat e jashtëm është një dështim për diplomacinë amerikane, është një hap prapa.

Zëri i Amerikës: Pra çështja u la në hije nga çështjet e tjera?

Daniel Serwer: Po, u la në hije nga çështjet e tjera dhe nga gjendja e përgjithshme e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit, që nuk është e kënaqëshme.

Zëri i Amerikës: Cilët janë disa nga skenarët e mundshëm për Kosovën që mund të shtrohen në tryezë kur sekretarja Rice të takohet me ministrin Lavrov për të diskutuar?

Daniel Serwer: Imagjinoj se amerikanët do të thonë: ne kërkojmë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit por nëse ju nuk do ta lejoni këtë ose do t’i vini veton, ne do të shikojmë mundësinë të veprojmë vetë së bashku me disa nga partnerët europianë për të njohur Kosovën pasi ajo të ketë shpallur pavarësinë. Mendoj se amerikanët duhet ta bëjnë shumë të qartë se nëse kjo nuk vendoset në Këshillin e Sigurimit atëhere ata do të përpiqen ta realizojnë jashtë OKB-së.

Zëri i Amerikës: Por deri tani ata nuk e kanë bërë të qartë këtë.

Daniel Serwer: Nuk mendoj se e kanë bërë absolutisht të qartë. Nga pikpamja e rusëve, ka shumë rëndësi që çështja të vendoset brenda Këshillit të Sigurimit sepse përndryshe kjo do ta dobësonte Këshillin e Sigurimit, do të dobësonte gjithashtu rëndësinë e vetos ruse. Kështu ndodhi edhe me vendimin për të ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999 dhe kjo nuk ishte gjë e mirë për rusët. Mendoj se si Beogradi ashtu edhe Moska do të preferonin shumë më tepër që çështja të zgjidhej brenda Këshillit të Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Nëse Rusia përfundimisht i ve veton një rezolute për Kosovën në OKB dhe Kosova e shpall pavarësinë në mënyrë të njëanëshme a ka rrezik që kjo të çojë në një përçarje të madhe mes Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve?

Daniel Serwer: Kjo është e mundur. Dhe kjo është diçka për të cilën amerikanët duhet të kenë shumë kujdes që ta shmangin. Ata duhet të arrijnë marrëveshje me të paktën disa nga fuqitë e mëdha europiane për njohjen e Kosovës pas një deklarate të njëanëshme të pavarësisë. Kjo mund të krijojë shumë probleme të tjera. Fakt është se mund të mos garantohet dot prania e një misioni të Bashkimit Evropian në Kosovë nëse çështja zgjidhet jashtë Këshillit të Sigurimit. Është vështirë të përfytyrohet që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian të bien dakord. Dhe natyrisht ekziston një rrezik serioz për dhunë dhe dua të shtoj këtu se kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të ndodhte për shqiptarët e Kosovës sepse dhuna nuk do t’u sillte atyre asgjë, madje do të garantonte mosnjohjen e Kosovës në areanën ndërkombëtare. Unë jam në favor të shtimit të presionit politik nga ana e kosovarëve, që ata ta bëjnë të qartë se cilat janë aspiratat e tyre por ata duhet ta bëjnë këtë me një mënyrë që e mundëson komunitetin ndërkombëtar të reagojë pozitivisht dhe jo negativisht.

Zëri i Amerikës: Po nga pikpamja e precedentit, çfarë problemesh mund të krijonte kjo për Shtetet e Bashkuara?

Daniel Serwer: Kjo mund të krijonte disa probleme për Shtetet e Bashkuara për shkak të situatës në Kurdistan, por ajo që ka rëndësi për arritjen e një rezolute në Këshillin e Sigurimit është se diçka që krijon precedent do të mund të lejohej por vetëm përmes Këshillit të Sigurimit. Nëse çështja vendoset jashtë OKB-së, kjo do të krijonte precedent për vendime të tjera jashtë Këshillit të Sigurimit gjë që sigurisht nuk do të ishte e dëshirueshme. Megjithatë, është shumë e qartë se për të përmbushur aspiratat e shqiptarëve të Kosovës, atëhere duhet të ketë një gatishmëri që vendimi të merret edhe jashtë Këshillit të Sigurimit. Nëse ka një gatishmëri të tillë, atëhere si rusët ashtu edhe Beogradi do të pranonin që çështja të zgjidhej me një vendim në Këshillin e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Ideja për shtyrjen prej katër muajsh të procesit të statusit në OKB erdhi nga evropianët. A është kjo një shenjë lëkundjeje mes Perëndimorëve që paralajmëron shtyrje të tjera?

Daniel Serwer: Mendoj se po. Fakt është se ka një numër vendesh europiane që nuk duan ta bëjnë këtë ose që nuk duan ta bëjnë pa pëlqimin e Beogradit. Por Beogradi nuk e jep një pëlqim të tillë. Çështja është se shtyrja mund të krijojë vetëm probleme dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi. Ne e dimë se shtyrja e vendimit për këtë çështje forcon partinë radikale dhe ekstremistët e tjerë në Serbi. Ajo i dobëson ata që janë vërtet të angazhuar për një sistem demokratik. Sepse Serbia nuk mund të jetë demokraci nëse kërkon të mbajë pas vetes 1,8 milionë shqiptarë të cilët ajo nuk dëshiron t’i përfshijë në listat e votimit. Nëse do t’i kishte përfshirë, atëhere kushtetuta e saj nuk do të ishte miratuar. Alternativa për Serbinë është: ose të mbajë Kosovën ose të bëhet demokraci por nuk mund t’i bëjë dot të dyja.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kanë këshilluar udhëheqësit e shqiptarëve në Prishtinë të jenë të duruar. Sa mund të zgjasë ky durim në këto kushte të një presioni kaq të madh nga ana e popullatës që kërkon pavarësi dhe kur durimi po shteron?

Daniel Serwer: Mendoj se është çështje javësh e ndoshta pak muajsh por nuk mund të zgjasë shumë më tepër se kaq. Problemi në Kosovë është se në pushtet janë udhëheqës relativisht të moderuar. Edhe në Kosovë ka radikalë po ashtu si në Serbi prandaj më duket se askush nuk do të dëshironte që të fshiheshin nga pushteti këta udhëheqës të moderuar të cilët kanë hequr dorë nga gjëra të tilla si Shqipëria e Madhe apo që kanë bërë shumë kompromise dhe që e kanë lejuar komunitetin serb të vetqeveriset brenda Kosovës. Do të ishte për të ardhur keq që nga udhëheqja të largoheshin njerëz të tillë si kryeministri Çeku, i cili ka mbajtur një qendrim jashtëzakonisht të mirë në këto kushte të vështira. //ii

XS
SM
MD
LG