Lidhje

Si funksionon Amerika


Kur bëhet fjalë për qeverisjen, shumica e amerikanëve kanë kontaktet më të shumta me organet e pushtetit lokal në qytete dhe rajone. Dhe përkrah këtyre organeve ka grupe qytetarësh që punojnë për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Një prej tyre është edhe një firmë ligjore, e cila ndihmon njerëzit që të zgjidhin problemet me të cilat ata ndeshen.

Ligje dhe rregulla të tëra, që të gjitha shumë të komlikuara. Si mund të njihet dhe t’i kuptojë ato një njeri i zakonshëm? Klinika ligjore Pro Bono në Montgomeri të Merilandit mund të ndihmojë.

Në distriktin Montgomeri të shtetit Meriland, në periferi të Uashingtonit, një grup avokatësh i quajtur Fondacioni i Avokatëve ka disa anëtarë që dhurojnë ekspertizën e tyre për të ndihmuar njerëzit me probleme ligjore.

Njëri prej këtyre avokatëve është Heri Lluis, i cili thotë se fondacioni mbështetet në një parim amerikan. “Kjo klinikë ligjore krijon mundësinë që të gjithë njerëzit të përfitojnë nga sistemi ynë i drejtësisë. Fatkeqësisht, shumë njerëz të varfër ose me të ardhura të pakta, shumë imigrantë që vijnë në Amerikë për shembull për të punuar, nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë sistemin e drejtësisë”, thotë Lluis.

Në vitin 2006, më shumë se 2 mijë veta kërkuan ndihmë ligjore nga klinika Pro Bono, që në latinisht do të thotë, “për të mirën” e komunitetit. Avokatja Meri Kej Kanarte manaxhon programin, që meret me një gamë të gjerë çështjesh ligjore. “Ne japin ndihmë ligjore në çështje që kanë të bëjnë mes pronarit dhe qeraxhiut, grumbullim borxhesh, falimentimin, çështje ligjore familjare, si divorci, kujdesi për fëmijën dhe mbështetja financiare e fëmijës.” Zonja Kanarte thotë se çështjet kriminale i referohen një zyre të veçantë të distriktit, e cila mbron pa pagesë njerëz të akuzuar për krime të ndryshme. Ajo thotë se për një numër imigrantësh, klinika e saj jep të vetmen ndihmë ligjore që ata kanë marë ndonjëherë që prej ardhjes në Shtetet e Bashkuara. “Shumë prej njerzve që vijnë në klinikën tonë nuk kanë folur ndonjëherë me një avokat. Ata nuk i njohin fare ligjet. Duke ardhur në klinikën tonë, për herë të parë ata kanë mundësinë të ndjehen të përfshirë në sistemin e drejtësisë, të njohin ligjet dhe të drejtat e tyre.”

Xhesi Foster thotë se një tmer financiar e bëri atë të shkonte në klinikën Pro Bono. “Kam ardhur këtu sepse më duhet të shpall falimentim, por nuk kam para të paguaj. Fola me një avokat se sa do të më kushtonte të shpallja falimentimin dhe mbeta krejt i habitur. Pastaj mësova se mund të merja falas këshillë ligjore e ndoshta edhe ndihmë nga kjo klinikë”, thotë Foster.

Klinika Pro Bono ndihmon edhe punëtorët e thjeshtë, të cilët thonë se nuk paguhen për punën, që bëjnë. Avokati David Vega shpjegon. “Punëdhënësit i marrin punëtorët në punë me premtimin se do t’u paguajnë 10-15 dollarë në orë, por nuk i paguajnë fare. Këta punëtorë hedhin në gjyq punëdhënësit, por një gjë e tillë kushton shtrenjtë, prandaj ata vijnë tek ne.” David, si disa avokatë të tjerë në klinikën Pro Bono, flet disa gjuhë. Kjo është e rëndësishme sepse një numër njerëzish, që vijnë në klinikë flasin pak anglisht ose fare.

Fondacioni i Avokatëve thotë se objektivi i tij do të jetë gjithnjë që çdo kush në distriktin Montgomeri, pavarësisht nga të ardhurat e tyre, etniciteti apo statusi ligjor, të marë ndihmë për zgjidhjen e problemeve të tyre ligjore dhe të sigurohet se të drejtat e tyre mbrohen. //rd//

XS
SM
MD
LG