Lidhje

Ban Ki-mun: Vonesat në përcaktimin e statusit të Kosovës rrezikojnë arritjet e deritanishme


Ruajtja e përparimit të arritur deri tani në Kosovë, kërkon perspekiva konkrete për finalizimin e procesit të statusit përfundimtar dhe bashkëpunimin aktiv dhe konstruktiv të të gjitha palëve të përfshira në proces. Kështu shprehet në raportin e tij të fundit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki-mun. Raporti i i Sekretarit të Përgjithshëm, përshkruan me tone të zymta gjendjen aktuale në Kosovë dhe thekson nevojën për të vënë në zbatim propozimin e të dërguarit të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari.

Përparimi i shënuar në Kosovë që pas luftës së viteve 1998-99 ka rrezik të humbet nëse nuk merret një vendim lidhur me kërkesën e shumicës shqiptare për pavarësi nga Serbia, paralajmëron në raport Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

“Nëse statusi i ardhshëm mbetet i pasqaruar ekziston një rrezik real që përparimi i arritur nga Kombet e Bashkuara dhe Institucionet e qeverisë së Kosovës të fillojë të zhbëhet,” thekson Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore në raportin që do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit të hënën. “Për këtë arsye, zgjidhja e statusit duhet të mbetet një përparësi për Këshillin e Sigurimit dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi,” shton zoti Ban në raportin që u publikua dje nga OKB-ja.

Propozimi dhe rekomandimet e përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari përmbajnë elementët e duhur për një zgjidhje të qëndrueshme të statusit të ardhshëm të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe propozimin për mbikqyrje ndërkombëtare, thekson zoti Ban.

Rusia ka bllokuar miratimin e një rezolute të OKB-së që gëzon mbështetjen e Perëndimit, e cila praktikisht do ta fuste Kosovën në rrugën e pavarësisë nga Serbia, pas 8 vjet administrimi nga Kombet e Bashkuara. Në Nju Jork, diplomatë nga vende të ndryshme thanë se kryeqytetet perëndimore po diskutojnë mundësinë e hartimit të një projekt-rezolute të re, e cila do të ishte më e pranueshme nga Moska. Kundërshtimi kryesor i Moskës ndaj projekt-rezolutës ekzistuese është se, megjithëse ofron 120 ditë shtesë për negocitata të mëtejshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, dokumentin parashikon njohjen e pavarësisë për Kosovën, nëse negociatat dështojnë.

Idetë e reja, sipas diplomatëve, përfshijnë zgjatjen e periudhës së negociatave në 150 ditë dhe shqyrtimin e qëndrimeve të palëve pas kësaj periudhe. Megjithatë, diplomatët thonë se Perëndimi i përmbahet idesë që statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon thekson në raportin e tij se shpresat e shqiptarëve për pavarësi brenda një të ardhmeje të afërt mbeten të larta. Raporti i rregullt mbi katër-mujorin e fundit paraqet me ngjyra të zymta një realitet varfërie dhe dasish etnike ndërmjet shqiptarëve dhe pakicës serbe. “Procesi i ripajtimit të plotë dhe integrimi i komuniteteve etnike të Kosovës do të jetë i gjatë dhe i vështirë,” thekson zoti Ban. //ad//

XS
SM
MD
LG