Lidhje

SHBA: Vazhdojnë fushatën kandidatët për zgjedhjet presidenciale 2008


Dita e Pavarësisë më 4 korrik, solli ndryshime në aktivitet e fushatava të kandidatëve për president dhe të reja në grumbullimin e fondeve. Senatorja Hillari Klinton e New Yorkut, e cila udhëheq garën e kandidatëve brenda Partisë Demokratike, shkoi në shtetin e Iowas, një prej shteteve të para që do të zhvillojnë zgjedhjet paraprake brneda partive. Gjatë takimeve ajo mori një ndihmë të vogël nga një tjetër demokrat i mirënjohur, burri i saj.

“Ajo është, kandidatura më e mirë, ende e pakurorëzuar në detyrë, që unë do të kem fatin të votoj për postin e presidentit, gjatë gjithë jetës sime,” tha Presidenti Klinton.

Bill Klinton ka mbetur popullor me votuesit demokratë. Por disa analistë politikë thonë se Hilary Klinton duhet të tregohet e zgjuar duke e kufizuar praninë e bashkëshortit të saj në fushatë, pasi kështu ajo nuk do të mbetet në hije nga prezenca e tij.

Në Iowa ishte edhe rivali kryesor i senatores Klinton, Senatori i shtetit Illinoi, Barack Obama, si dhe konkurrenti republikan, ish-guvernatori i shtetit Massachusets, Mitt Romney. Zoti Romney ka shpenzuar fonde të shumta për spote publicitare në radio dhe televizione, në shtetet që i zhvillojnë zgjedhjet në fillim, me shpresë për t’u bërë më i njohur mes votuesve republikanë.

Analisti politik me bindje demokrate Bob Shrums thotë se mbi kandidatët do të ketë trysni të madhe për shtetet e para ku zhvillohen zgjedhjet paraprake si Iowa, New Hampshire apo Carolina e Jugut.

“Historikisht në se nuk konkuron në Iowa, nuk e siguron dot emërimin e partisë. Garat e para janë ato që përcaktojnë se cilët janë kandidatët kryesorë që votuesit kanë në mend t’u japin votën e tyre,"thotë analisti.

Ish-kryebashkiaku i New Yorkut Rudi Xhuliani vazhdon të udhëheqë mes kandidaturave republikane për postin e presidentit, i ndjekur nga ish- senatori i shtetit Tennesi, Fred Thompson, nga ish guvernatori Romny dhe Senatori i Arazonës John Mc Cain.

Zoti Thompson pritet të zyrtarizojë hyrjen në garën për president së shpejti dhe ky aspekt mund të dëmtojë senatorin Mc Cain, i cili është më mbrapa si në sondazhe ashtu dhe në grumbullimin e fondeve. Kohët e fundit, dhjetra anëtarë të stafit elektoral të senatorit McCAin, u pushuan për të kursyer të ardhurat, dhe për shumë analistë, kjo lëvizje shihet si një përpjekje e senatorit për të qëndruar në garë deri në muajin janar kur nisin votimet. Gjithashtu futja e pritshme e zotit Thompsonit në garë, mund të ndikojë në uljen e mbështetjes për zotin Guliani, ndërkohë që republikanët konservatorë po shqyrtojnë alternativat e tyre për vitin e ardhshëm. Amy Walter është redaktore e faqes politike në internet Hotline.

"Baza republikane është nervozuar. Zbehja e entuziazmit në kampin republikan për garën presdenciale është e dukshme. Ajo çka republikanët kërkojnë tani, kryesisht konservatorët, është dikush që mund t’i bashkojë ata," thotë analistja.

Veç zotit Thompson, është edhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich nga Georgia, që po shqyrton venien e kandidaturës për republikanët. Ai thotë se do të vendosë nga muaji tetor.

Disa Demokratë vazhdojnë të shpresojnë se ish-Presidenti Al Gore mund të bëjë një përpjekje tjetër për Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm. Zoti Gore u pyet rreth kësaj ideje, në një emision të televizioni NBC.

"Familja ime më ka mbështetur në çdo aspekt në fushën politike, por unë nuk kam asnjë plan apo synim që të rikandidojë sërish. Arsyeja kryesore është se unë jam i përfshirë në një tjetër lloj fushate tashmë”," thotë zoti Gore.

Zoti Gore tha se ai është i përqëndruar në çështjet e ngrohjes globale, dhe gjetjes së trajtimeve për djalin e tij 24 vjeçar. Djali i tij, u arrestua në Kaliforni të mërkurën, duke i dhënë makinës me shpejtësi. Gjatë kontrollit policia i gjeti marihuanë. //ad//

XS
SM
MD
LG