Lidhje

Vjedhja e pasurisë intelektuale i kushton shtrenjtë ekonomisë


Vjedhja e pasurisë intelektuale i ka kushtuar ekonomisë amerikane rreth 250 miliardë dollarë, dhe mbi 700 mijë vende pune. Por kontrabanda e produkteve dëmton edhe ata që i blejnë mallrat, sepse janë shpesh të një cilësie të ulët dhe në rastin e ilaçeve, mund të jenë të rrezikshme. Zyrtarët e qeverisë amerikane thonë se po bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndaluar vjedhjen e pasurisë intelektuale, veçanërisht në Kinë ku prodhohet shumica e mallrave kontrabandë.

Wes Fritz që merret me mbikqyrjen e një linje prodhimi në një kompani të vogël kimikatesh në Pensilvani, është i revoltuar nga kontrabanda kineze.

“Mendoj se do të bënim shumë më tepër fitime nëse nuk do na duhej të konkurronim me kinezët, me gjithë ato mallra kontrabandë. Mnedoj se kompania jonë do të ishte më e madhe, do të prodhonim më shumë dhe do të kishim më shumë persona të punësuar”.

Sasia e shitjes e kompanisë së kimikateve Guy që bën produkte silikoni për eksport, ka rënë për shkak të piraterisë së mallrave. Pronari i saj Guy Berkebile është i nervozuar.

“Ajo që po nxit shitjen e këtyre mallrave kontrabandë, është cilësia e dobët dhe fakti që vijnë nga një vend që ka kosto më të ulët prodhimin sesa ajo që kemi këtu në Shtetet e Bashkuara”.

Kërkesa është e lartë, sepse blerësit në pjesë të ndryshme të botës duan të paguajnë më pal për prodhime firmash të njohura, edhe nëse janë imitime. Por kjo mund të përbëjë rrezik kur bëhet fjalë për paisje farmaceutike apo mjekësore, si ato që përdoren për operacione.

Megjithëse mallra të falsifikuara bëhen në shumë vende, shumica e prodhimeve të rreme bëhen në Kinë, duke filluar nga DVD-të e deri tek klubet e golfit. Rreth dy të tretat e mallrave kontrabandë të kapura nga Shtetet e Bashkuara vijnë nga Kina.

Chris Israel, që bashkërendon përpjekjet e qeverisë amerikane për mbrojtjen e pasurisë intelektuale, thotë se Kina nuk po bën aq sa duhet për të ndalur piraterinë.

“Shpesh shohim që Kina nuk po merr masa të forta për shkeljet lidhur me pasurinë intelektuale. Nuk ka veprime të shpejta dhe efektive për të vënë drejtësinë në vend, për ata që merren me këtë lloj aktiviteti. Dhe në këtë drejtim ne duam të shohim përparim”.

Administrata e Presidentit Bush ka paraqitur kohët e fundit një projekt-ligj për të forcuar masat për mbrojtjen e pasurisë intelektuale dhe për të vënë dënime më të rrepta me burg ndaj atyre që akuzohen për disa lloje kontrabande. Po ashtu depozitoi një ankesë zyrtare ndaj Kinës në Prill, para organizatës botërore të tregëtisë.

Por në një kompani të Ohajos, Kimakate Kimike dhe Plastike, shitjet e së cilës kanë rënë në masë gjatë tre viteve të fundit për shkak të kontrabandës, menaxheri John Franken thotë se Uashingtoni duhet të bëjë më shumë.

“Ne duhet të tregohemi të prerë. Qeveria jonë duhet të tregohet e rreptë me ta dhe nuk duhet t’i lejojë të vazhdojnë”.

Kina ka marrë disa masa kundër kontrabandistëve, duke shkatërruar mallrat e imituara në aktivitete të mëdha. Zyrtarët kinezë thonë se qeveria është shumë e vendosur të luftojë vjedhjen e pasurisë intelektuale nga ndërmarrjet kineze. Megjithëse këto masa janë të mirëpritura, zyrtarët amerikanë e pranojnë se nuk ka rrugëdalje të shpejta.//kk//

XS
SM
MD
LG