Lidhje

Dokumentat për shkeljet e zbulimit amerikan hapin një dritare të re


Publikimi i dokumenteve dikur sekrete ku flitet për abuzimet e agjencive amerikane të zbulimit hap një dritare të re në historinë herë-herë të errët të CIA-s. Pjesa më e madhe e informacionit në këto dokumente, të cilat janë mëse 30-vjeçare, ka qenë ditur prej kohësh nga publiku. Por këto informacione të bëra tashmë publike, kanë më tepër se sa vlerë historike.

Ekspertët e zbulimit thonë se dokumentet e publikuara rishtazi që në zhargonin popullor njihen me shprehjen “stolitë e familjes”, janë me rëndësi për debatin e tanishëm mbi çështje të tilla si reforma e agjencive të zbulimit, sekreti shtetëror dhe kompetencat kushtetuese të presidentit në epokën e pas 11 shtatorit.

Drejtori i CIA-s Michael Hayden tha se dokumentet, ndonëse nuk e nderojnë agjencinë, “japin një vështrim brenda një epoke shumë të ndryshme dhe të një agjencie shumë të ndryshme nga kjo e sotmja”. Por David Barrett, historian në Universitetin Villanova, thotë se në luftën e sotme kundër terrorit, disa gjëra nuk janë dhe aq të ndryshme në botën e zbulimit.

"Mendoj se ekzistojnë gjëra të përbashkëta. Kur kalojnë disa dekada, ne fillojmë dhe e hedhim vështrimin në periudhën e viteve pas 11 shtatorit dhe shikojmë se ka patur abuzime, ka patur aktivitete, ligjshmëria e të cilave mund të vihet në pikëpyetje. Kjo është si të thuash pikëpamja që ne kemi zakonisht për vitet e para të Luftës së Ftohtë, pra para periudhës së ‘stolive të familjes’."

Dosja prej 700 faqesh, që përmban mesazhe, shënime dhe raporte hedh dritë mbi disa aktivitete të dyshimta dhe në disa raste ndoshta të paligjëshme të CIA-s, FBI-së dhe Agjencisë së Sigurimit Kombëtar në vitet 50, 60 dhe në fillim të viteve 70. Ato përfshijnë komplote për të vrarë udhëheqës të huaj, duke përfshirë përdorimin e gangsterëve për të vrarë udhëheqësin kuban Fidel Kastro, survejimin e disidentëve politikë brenda vendit, hapjen e postës dhe përgjimin me mjete elektronike të gazetarëve amerikanë.

Shumica e informacionit për “stolitë e familjes” së pari u botua në një artikull të Nju Jork Tajmsit në dhjetor të vitit 1974 dhe kjo u bë shkak për dy hetime nga ana e Kongresit, ndërsa pas një viti u ngrit edhe një komision presidencial për këtë çështje. Dosja e sapopublikuar me ngjarje të 30-40 vjetëve më parë ende ka pjesë të mëdha të cilat janë shuar.

Amy Zegart, profesore e politikës publike dhe specialiste e çështjeve të zbulimit në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles, thotë se mënyra se si një president e përdor fuqinë e kundërzbulimit mbetet edhe sot një problem po aq sa ka qenë në të kaluarën.

"Demokratë apo republikanë qofshin, Luftë e Ftohtë apo terrorizëm, nuk ka shumë rëndësi. Të gjithë presidentët joshen t’i kapërcejnë kufijtë e asaj që shumica e amerikanëve e shohin si përdorim me kriter i agjencive të zbulimit. Pra, vazhdimisht ka një tension mes asaj që presidentët e shohin si mbrojtje e interesit të sigurimit kombëtar dhe asaj që shumica e amerikanëve e shohin si shkelje e lirive civile themelore. Këtë ne e vemë re në vitet 60, e vemë re edhe sot."

Hetimet e para lidhur me të ashtuquaturat “stoli të familjes” çuan në reforma duke përfshirë krijimin e komisioneve të përhershme për mbikqyrjen e agjencive të zbulimit në Kongresin amerikan.

Ekspertja Amy Zegart e përshëndet publikimin e “stolive të familjeve”, duke thënë se kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë. Por, shton ajo, ka ende shumë informacione që agjencitë e zbilimit vazhdojnë t’i mbajnë të fshehura dhe që duhet t’i publikojnë.

"Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos nxitojmë ta urojmë CIA-n për transparencën e saj. Ende ka shumë gjëra që mbahen të fshehura dhe që mund të hidhnin shumë dritë mbi ngjarjet që çuan në 11 shtatorin 2001. Ato mund të na ndihmonin gjithashtu shumë për ta bërë komunitetin e zbulimit të punojë më mirë."

Dokumentet e sapopublikuara tregojnë se si CIA dhe Agjencia e Sigurimit Kombëtar bënin përgjime me mjete elektronike disa dekada më parë. Aktualisht, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi janë mbërthyer në një betejë po për çështje dokumentesh, të cilat sot përfshijnë edhe e-maile. Kjo betejë ka të bëjë me një program përgjimesh elektronike për të cilin Shtëpia e Bardhë kishte autorizuar Agjencinë e Sigurimit Kombëtar të kryente pas 11 shtatorit. //kk//

XS
SM
MD
LG