Lidhje

Frid: Deklarimi i njëanshëm nuk ndihmon kauzën e pavarësisë

  • Linda Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Grupi negociator i Kosovs do të takohet në fund të këtij muaji në Uashington me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs. Ftesa për këtë takim i është dhënë sot këtij grupi nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, i cili vizitoi Prishtinën, ku u takua me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, të mbledhur në grupin negociator, nën kryesimin e presidentit Sejdiu. Zoti Frid tha se është shumë e mundshme që të ketë një periudhë të kufizuar negociatash dhe mund të ketë disa qasje interesante, nëse Beogradi është i interesuar t'i diskutojë ato. Zoti Frid përsëriti se megjithatë, synimi përfundimtar është pavarësia e Kosovës.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Daniel Frid, konfirmoi sot në Prishtinë se i ka shqiptuar grupit negociator të Kosovës ftesën për t'u takuar në Uashington me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs.

“Unë, gjithashtu, i shqiptova Grupit të Unitetit një ftesë për të ardhur në Uashington në fund të këtij muaji, për t'u takuar me Sekretaren Rajs, ata e kanë pranuar, kështu që diskutimet tona me grupin e unitetit do të vazhdojnë”.

“...Është shumë e mundshme që do të ketë një periudhë të kufizuar negociatash, ka shumë mënyra sesi procesi i pavarësisë së Kosovës, i statusit përfundimtar, mund të zgjidhet dhe mund të ketë disa qasje interesante, nëse Beogradi është i interesuar t'i diskutojë ato. Grupi i Unitetit është shumë i qartë që nuk do të kompromentojë objektivin e vet përfundimtar dhe jo vetëm që e respektoj këtë, por siç ka thënë presidenti Bush, pavarësia është synimi, kështu që nuk mendoj se ka pikëpyetje se ku mbaron, por mund të ketë vend për diskutim sesi të arrihet atje, sigurisht që çfarëdo që mund të bihet dakord midis serbëve dhe kosovarëve, do të jetë e pranueshme”, - tha zoti Frid.

"Grupi i Unitetit është i vendosur të bëjë më të mirën për vendin e vet dhe për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar,"- tha ai.

“Nuk mendoj që në këtë pikë, deklarata e njëanshme, bazuar në frikë, apo mungesë besimi, do të ndihmojë kauzën e pavarësisë së Kosovës. Besoj se qëndrueshmëria, vendosmëria, dhe devocioni ndaj parimeve demokratike, është rruga përpara. Presidenti Bush ka deklaruar pozicionin tonë kombëtar shumë qartë, kjo nuk ishte një fjalë goje, nuk ishte një aksident, ishte një pozicion i menduar mirë dhe ai tha atë që mendonte dhe e mendonte atë që tha. Kosovarët mund të kenë besim që Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për këtë përfundim. Mund ta përsëris këtë pa ngurrim”, - tha zoti Frid.

Zoti Frid shkon nesër në Beograd, ku do të bisedojë me udhëheqësit serbë, lidhur me zhvillimet në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG