Lidhje

Ekonomistët kujtojnë mësimet e nxjerra nga kriza financiare aziatike


Dhjetë vjet më parë, një krizë e paparë financiare përfshiu Azinë lindore dhe solli si rezultat operacionet financiare më të mëdha të shpëtimit në histori. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Heda Bayron në Hong Kong i hedh një vështrim krizës që filloi në korrikun e vitit 1997 dhe se si Azia ia doli mbanë.

Së bashku me pjesën dërrmuese të Azisë në 1997, Indonezia u zhyt në një krizë ekonomike. Kompanitë u mbyllën dhe punonjësit humbën vendet e punës. Raden Pardede i kujton ato ditë. Ai është zëvendës president i agjencisë qeveritare të Indonezisë që u mor me shitjen e pasurive të atyre kompanive të falimentuara. “Ishte një nga krizat më të mëdha që kemi përjetuar....në 1998 ekonomia jonë u shpërbë...kishim një rënie prej - 13, 5 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto GDP. Bota u përmbys. Pas kësaj, thuajse të gjitha korporatat u falimentuan. Kjo ishte arsyeja e papunësisë së lartë pas 1998. Grupet me të ardhura të mesme dhe të ulëta vuajtën pasoja të rënda”, thotë Pardede.

Kriza finaciare aziatike ishte e paparashikueshme në atë kohë. Ekonomitë aziatike po përparonin. Kompanitë po zgjeroheshin me shpejtësi, bursa në rritje e nxitur nga kapitali i huaj. Por kjo mori fund, fillimisht në Tailandë, ku kompanitë e kishin mbingarkuar veten me hua të huaja. Investitorët e shqetësuar filluan shitjen e monedhës tailandeze që humbi vlerën krahasuar me dollarin. Paniku u përhap. Monedhave indoneziane koreano jugore, malajziane dhe të tjera u ra vlera. Bursa pësoi renie të mëdha dhe interesi u ngrit. Qeveritë përdoren monedhat e huaja të rezervës për të ndaluar rënien e vlerës së monedhës, dhanë hua kompanive dhe blenë aksione në bursë.

Por kriza vazhdoi dhe miliona njerëz humbën vendet e punës. Indonezia dhe Koreja e Jugut i kërkuan ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Park Yung-chul, ekonomist me Universitetin Kombëtar të Seulit, thotë se ndihma ishte në fakt një dështim për Korenë e Jugut: “Reagimi fillestar i njerëzve ishte turpi. Ne kishim ekonominë e 11 më të madhe në botë. Kompanitë tona investonin kudo si Angli Amerikë dhe Evropë”, thotë Park.

Por sot, Azia jo vetëm e ka marrë veten nga kriza, por ka vënë mësim nga 1997-ta. “E kemi rikonstruktuar pjesën dërrmuese të ekonomisë koreano-jugore dhe vlera e kembimit të monedhës po trajtohet siç duhet...dhe kemi rezerva të mëdha të monedhave të huaja, gjë që e bën më të vështirë për spekulatorët e huaj që të çrregullojnë tregun.”

Ekonomisti thotë se nëse ndodh ndonjë krizë tjetër, Indonezia ka një pozitë më të fortë se sa në 1997. “Mund të shohim kriza të tjera. Nuk e dimë se kur, ndonjë ndikim nga një vend në vendin tjetër...ngjitëse dhe e pamenjanueshme në kohën e globalizmit. Por mendoj, efekti nuk do të jetë i njëjtë sa i vitit 1997.” Qeveritë aziatike vazhdojnë të marrin masa për të forcuar ekonomitë e tyre dhe shpresojnë të parandalojnë kriza të tjera. //rd//

XS
SM
MD
LG