Lidhje

Ura Ambasador që lidh Amerikën me Kanadanë


Pikëkalimi kufitar më i ngarkuar në Amerikën e Veriut është Ura Ambasador, e cila lidh qytetin amerikan të Detroitit në Miçigan me qytetin kanadez të Uindsorit në Ontario. Zyrtarët amerikanë të doganave thonë se çdo vit aty kalojnë 3 milion vetura, 1 presje 7 milion kamjonë dhe mallra me vlerë prej 80 miliardë dollarësh. Ura Ambasador është gjithashtu pronë private. Që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, pronësia private e këtij pikëkalimi të rëndësishëm kufitar është bërë qendër e kritikëve, të cilët kërkojnë më shumë kontroll qeveritar ose publik.

Pas 11 shtatorit të vitit 2001, radhët e gjata dhe vonesat për orë të tëra ishin diçka e zakonshme në Urën Ambasador pasi aty u shtuan masat e sigurimit. Por sot trafiku nuk është keq në këtë urë, që lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë. Në një ditë normale, rreth 8 mijë vetura dhe 6 mijë kamjonë kalojnë në këtë urë. Madje 25 përqind e gjithë tregëtisë mes dy vendeve kalon në këtë pikë kufitare. Pajisje të teknologjisë së lartë, që diktojnë lëndë radioaktive ose rregjistrojnë targat e makinave si dhe pajisjet e shpejta kompjuterike, kanë bërë që të shkurtohet koha e pritjes për të kaluar doganën nëpër këtë urë.

Robert Perez, drejtor i portit për mbrojtjen e kufirit dhe të doganës në Detroit, thotë se Ura Ambasador është e sigurtë dhe funksionon si duhet. “Ne e konsiderojmë veten në Portin e Detroitit dhe veçanërisht në Urën Ambasador si një shembull tipik të praktikave të një pas njëshme për masat e sigurisë”, thotë Perez.

Megjithatë ka ende shqetësime rreth sigurisë së Urës Ambasador sepse ajo është pronë private. Kritikët, si Marxh Bjonton, thotë se mungesa e mbikqyrjes publike mund të çojë në të çara të juridiksionit mes agjencive të ndryshme federale, shtetrore, lokale dhe private në të dyja anët e kufirit, përgjegjëse për sigurinë në këtë urë. Zonja Bjonton thotë se një zyrë mbikqyrëse është e nevojshme për të siguruar që agjencitë e sigurimit të të dy vendeve bashkëpunojnë me njera tjetrën. “Mendoj se një zyrë mbikqyrëse është mënyra më e mirë sepse kemi të bëjmë me sigurinë në të dyja anët e një lumi, kemi të bëjmë me një përpjekje ndërkombëtare prandaj duhet të ketë bashkëpunim midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara rreth administrimit të kësaj ure.” Por Marxh Bjonton përfaqëson Partneritetin e Detroitit për tunelin nën lumë, i cili ka propozuar një projekt të ri tuneli për të konkuruar me Urën Ambasador.

Presidenti i kompanisë që ka pronë urën i tha Zërit të Amerikës se kompania e tij bashkëpunon me të gjitha agjencitë përkatëse. Gjendja në përgjithësi krijon shqetësime nëse organizata private duhen lejuar të kenë pronë infrastruktura të rëndësishme si kjo urë në një kohë kërcënimi të mundshëm terrorist.

Por eksperti i sigurimit kombëtar, David Hejman thotë se pronësia private, edhe kur kemi të bëjmë me një urë si kjo, është mënyra amerikane, madje ai thotë se garantimi i sigurisë aty është përgjegjësi si e sektorit privat ashtu edhe atij publik. “Nëpër porte, ura dhe çdo lloj infrastrukture të rëndësishme, centrale bërthamore, ekziston një bashkëpunim i të gjitha qeverive, federale, shteterore dhe lokale. Aty shkrihet edhe sektori privat. Kjo nuk është e pazakontë, por që prej 11 shtatorit 2001 një bashkëpunim i tillë është bërë mëse normal.” Dhe në fund të fundit, thotë zoti Hejman, mbrojtja e pasurisë publike është në interesin e sektorit privat. //rd//

XS
SM
MD
LG