Lidhje

Presidenti Bush bën thirrje që t'i lihet më tepër kohë arritjes së suksesit në Irak


Presidenti Bush po i bën thirrje Kongresit dhe popullit amerikan, që t’i japin më tepër kohë që të funksionojë politika e tij në Irak, në kushtet kur një anketim i ri tregon se kundërshtimi i publikut amerikan ndaj luftës mbetet i lartë:

Disa ditë para përfundimit të afatit, kur presidenti duhet t’i dërgojë Kongresit raportin e përkohshëm mbi Irakun, ai bëri thirrje për durim.

"E kuptoj mirë se ndërsa shohim çdo mbrëmje në televizion pamjet me dhunë, njerëzit thonë : “A ja vlen kjo luftë? A mundet që ta përmbushim ne objektivin tonë? Fillimisht, dua t’ju them, se po, ne mund ta përmbushim atë dhe mund ta fitojmë luftën në Irak. Dhe së dyti, dua t’ju them se ajo luftë DUHET fituar," tha Presidenti.

Gjatë një vizite që bëri në Klivlend, të shtetit Ohajo, Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të shohë përtej raportit të përkohshëm, afati i të cilit përfundon të dielën, më 15 korrik. Ai tha se ligjvënësit duhet të presin deri në muajin shtator, kur gjenerali amerikan David Petreas, të publikojë raportin përfundimtar lidhur me gjendjen dhe dislokimin e 30 mijë trupave shtesë në Irak.

"Besoj se është në interesin e vendit, që t’i jepet komandantit shansi për të zbatuar plotësisht operacionet e tij. Dhe unë jam i mendimit se Kongresi duhet të presë, deri sa gjenerali Petreas të kthehet nga Iraku dhe t’i bëjë një vlerësim strategjisë që ai po zbaton, para se të marrim ndonjë vendim." - tha Presidenti

Por shumë anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit po u humbet durimi. Lidhur me Irakun, ata po propozojnë amendamente për ligjin që autorizon shpenzimet për mbrojtjen. Senatori demokrat i Miçiganit, Karl Levin, që është edhe Kryetar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, kërkon që të ketë një afat të caktuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

"Pa caktuar një datë, për fillimin e pakësimit me faza të trupave dhe një dislokim po me faza të tyre, do të ishte tepër i vogël presioni ndaj udhëheqësve irakianë që të bëjnë çka munden: që është pikërisht gjetja e një marrëveshjeje politike."-tha Senatori Levin.

Udhëheqësit republikanë në Senat janë zotuar ta bllokojnë amendamentin e propozuar nga zoti Levin. Por një numër përherë e më i madh ligjvënësish republikanë kanë dyshime lidhur me strategjinë e Presidentit.

Ndoshta më i shquari prej tyre është Senatori i Indianës, Riçard Lugar, i cili është edhe Kryetari Republikan i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë. Ai e habiti Uashingtonin me një fjalim të kohëve të fundit në Senat, ku vuri në pikëpyetje politikën e luftës të Presidentit dhe foli edhe për ndarjen që ka krijuar konflikti, aspak popullor, në Kongres dhe në Amerikë.

"Në se ne nuk e rivlerësojmë strategjinë tonë në Irak, që ajo t’u përshtatet kushteve tona të politikës së brendshme, dhe nevojave më të mëdha të Shteteve të Bashkuara për sigurinë kombëtare, ne rerzikojmë të kemi dështime në politikën tonë të jashtme, që mund të zbehin ndjeshëm ndikimin tonë në rajon dhe në botë", - tha Senatori Lugar.

Ndërkohë, një anketim i ri tregon se mbi 70 për qind e amerikanëve kërkojnë tërheqjen e thuajse të gjitha trupave amerikane nga Iraku, deri në prillin e vitit të ardhshëm. Anketimi i kryer javën e kaluar nga gazeta USA Today dhe nga Grupi Gallup, përfshiu mbi 1 mijë amerikanë. Po sipas anketimit, mbështetja e popullit për Presidentin ka arritur në shifrën 29 për qind.//lk

XS
SM
MD
LG