Lidhje

Rreziku i humbjes së shikimit tek të moshuarit


Një studim i kohëve të fundit në Revistën e Shoqatës Amerikane të Shëndetësisë tregon se të moshuarit që kanë disa gjene të caktuara janë më të rrezikuar nga një lloj humbje e shikimit, veçanërisht kur janë të kombinuar me faktorë të tjerë si pirja e duhanit dhe mbipesha. Kjo sëmundje të pashërueshme dhe që shpesh shkakton verbim.

Dr. Stephen Pappas viziton të paktën 150 pacientë të moshuar çdo javë në klinikën e tij pranë Washingtonit. Pothuajse gjysma e tyre janë diagnostikuar me një formë të rënies së theksuar të shikimit.

Ai i kuron ata me një ilaç të ri të quajtur Lucentis, përdorimi i të cilit u miratua në vitin 2006 nga Agjencia për Ushqim dhe Ilaçe. Lucentis u krijua posaçërisht për të kuruar këtë sëmundje që prek retinën duke shkaktuar një zgjerim anormal të enëve të gjakut.

Athena Cokenias, një paciente thotë se nuk e kishte kuptuar se enët e gjakut prapa retinës po rridhnin. Humbja e shikimit qendror mund të jetë e përhershme, kështuqë Dr. Pappas thotë se një diagnostikim i shpejtë është kritik.

Dyqind mijë amerikanë, kryesisht të moshës mbi 55 vjeç diagnostikohen me këtë sëmundje të shikimit çdo vit. Në shkallë botërore, radhitet e treta nga sëmundjet që shkaktojnë humbjen e vështrimit. Tani për tani është e pashërueshme, por disa gjëra dihen për këtë sëmundje.

Ajo prek kryesisht njerëzit e racës së bardhë, zakonisht me sy me ngjyrë të hapur. Duket se sëmundja është shpesh edhe e trashëguar.

Revista e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë botoi kohët e fundit një studim me mbi 1 mijë e 500 të rritur të moshës nga 55 deri në 80 vjeç me shenja të fazës së mesme të sëmundjes. Gjatë studimit 6 vjeçar, 281 pjesëmarrësit u diagnostikuan me humbje të avancuar të shikimit.

Studiuesit identifikuan pastaj gjene specifike dhe anomalitë e grupit më të vogël, që rrezikonin ata më shumë. Rreziku rritej tek njerëzit që pinin duhan, ishin mbipeshë, ose vuanin nga tensioni i lartë. Mes faktorëve të tjerë ishin ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet dhe mungesa e një diete të ekuilibruar me perime dhe peshk.

Deri tani, Lucentis ka qenë një formë efektive kurimi. Por një ilaç tjetër i quajtur Avastin po provohet për të parë efektet. Avastin ka një kohë më të gjatë që qarkullon në treg, si pjesë e kurave për kancerin e zorrës së trashë dhe është më i lirë për t’u prodhuar. Deri sa të vërtetohet se cili ilaç është më i mirë se tjetri, Dr. Pappas thotë se i ka bërë përshtypje efektiviteti i Lucentisit.

“Është një ilaç që u krijua pikërisht për të depërtuar në retinë. U bënë shumë studime për të. Ai mund të injektohet direkt në sy, mund të depërtojë në retinë dhe është shumë i fortë”, thotë Dr. Pappas.

Pacientët që fillojnë kurën me Lucentis shpesh fillojnë me një injeksion në muaj dhe pastaj i rrallojnë dozat, ndërsa shikimi i tyre stabilizohet, ose përmirësohet. Por studimet tregojnë se ilaçi duhet të vazhdojë, ose përndryshe shikimi i pacientit keqësohet, ose mund të arrijë në verbim. //kk//

XS
SM
MD
LG