Lidhje

Berisha, i gatshëm për koalicion me partitë e majta për Presidentin

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha u tregua i gatshëm të përfshijë në koalicionin qeverisës të drejtuar prej tij edhe disa parti të majta, nëse ato do të bashkonin votat me të për zgjedhjen e presidentit. Deklaratat e kryeministrit erdhën pas votimit të dytë për presidentin. Opozita nuk ishte e pranishme, në shenjë proteste ndaj vendimit të shumicës për tu tërhequr nga një zgjidhje me konsensus. E djathta, sërish nuk garantoi dot votat e duhura për kandidatin e saj Bamir Topi, i cili këtë herë mori një votë më pak se votimi i së dielës. Të dyja palët janë të vendosura të mos lëshojnë pe, duke e afruar më shumë mundësinë për zgjedhje të parakohshme.

“... Nga votimi i dytë në Parlament, doli se zoti Bamir Topi ka fituar 74 vota pro dhe zoti Fatos Nano ka fituar 5 vota...”

...Ndonëse në sallë ishin dy deputetë më shumë se të dielën, votat e tyre shkuan për ish kryeministrin socialist Fatos Nano, ndërsa zoti Topi humbi edhe një tjetër votë, duke shkuar kështu në diferencën prej 10 votash nga kufiri minimal i nevojshëm i kërkuar nga kushtetuta.

Opozita është e vendosur, që përsa kohë nuk ka shenja për t’u ulur në tavolinë, ajo të mos jetë e pranishme. Në një situatë të tillë, kryeministri Sali Berisha duket se ka zgjedhur një taktikë të re, të përdorur me sukses në zgjedhjet e vititi 2005: të joshë disa nga kundërshtarët, në këmbim të votave të tyre.

“Në rast se forcat e tjera politike shprehin gadishmërinë për të bashkëpunuar në këtë proces, qoftë mbi bazë të marrëveshjes së hapur, qoftë mbi vullnetin e tyre që vendi të ketë president, mbetem absolutisht i hapur para shqiptarëve, nga përfshirja në koalicion forma të tjera të bashkëpunimit, por mbi bazë transparente”.,- tha Kryeministri Berisha.

Zoti Topi, kandidati i së djathtës, duket se kishte parasysh këto përpjekje të kryeministrit, kur u shpreh optimist për rezultatin e marrë, ndonëse ai ishte më negativ për të se herën e shkuar.

“Tendenca në këtë raund ishte shumë pozitive, përsa i përket rrtijes së pjesëmarrësve, nga 80 erdhën 82 dhe shikoj një stabilitet të plotë të rezultatit. Ka edhe shenja, ka simptoma, që deputetë të tjerë do t’i bashkëngjiten trupës legjislative, për të bërë të mundur, që ndoshta edhe raundin tretë të kemi një rezultat, i cili do të mund të sjellë diçka. Unë mund t’ju them që jam në garë në raundin e dytë, dhe do qëndroj deri në raundin e 5-të, me besimin e plotë që Shqipëria do të ketë patjetër presidentin e saj dhe nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme” ,- tha zoti Topi.

Por, nëse përpjekjet e së djathtës për të afruar disa nga aleatët e vegjël të partisë socialiste dështojnë dhe nuk gjendet mbështetje për kandidaturën e zotit Topi , sipas kryeministrit, në një rast të tillë:

“Do të jetë sovrani, do të jetë populli, ai që do të shprehet sërish edhe një herë, për luftën, për papajtueshmërinë me korrupsionin, që është një kancer i vërtetë për qenien tonë kombëtare. Me të nuk mund të ketë pajtueshmëri”, - tha zoti Berisha.

Futja e vendit në zgjedhje, rrezikon të jetë me kosto të lartë për vendin, veçanërisht kur ai është përgatitur për të marrë një ftesë për integrim në Nato. Nga ana tjetër, ngritja e siparit të zgjedhjeve mund të sjellë një cikël zgjedhjesh të njëpasnjëshme, që teorikisht, mund të bllokojnë vendin për gati një vit.//lk

XS
SM
MD
LG