Lidhje

Studiuesit amerikanë rekomandojnë ndarjen e Irakut në tre rajone


Mes shtimit të thirrjeve në senatin amerikan për tërheqjen e trupave nga Iraku, dy studiues amerikanë rekomandojnë ndarjen e Irakut në tre rajone. Plani i tyre përfshin një pakësim të ndjeshëm të trupave amerikane por jo një tërheqje të plotë. Dy studiuesit e pranojnë se plani i tyre është i vështirë dhe me rreziqe. Por ata argumentojnë se kjo mund të jetë e keqja më e vogël dhe ndoshta e vetmja mënyrë për të shmangur një luftë të përgjithshme civile në Irak.

Edward Joseph i Shkollës Johns Hopkins për studime të avancuara dhe Michael O'Hanlon i Institutit Brookings në Washington e pranojnë se plani i tyre për ndarjen e Irakut në linja etnike nuk është aspak i lehtë. "Në Irak në fakt po ndodh një ndarje mbi linja etnike, pavarësisht nëse kjo na pëlqen apo jo. Ta themi hapur, shumë prej nesh kjo nuk u pëlqen. Deri në 100 mijë njerëz në muaj po zhvendosen me forcë nga shtëpitë e tyre. Iraku po ndahet mbi baza etnike." O'Hanlon thotë se irakianët po i largohen dhunës në rritje duke u sistemuar pranë njerëzve të të njëjtit grup etnik. Ai shpjegon se përmes një ndarjeje të butë të vendit, njerëzit nuk do të detyrohen të lëvizin me forcë, por kjo do ta ndante vendin në tre zona kryesore: shiite, suni dhe kurde.

Secili rajon do të merrte përgjegjësi për sigurinë dhe qeverisjen e tij siç bëhet tashmë në Kurdistanin irakian në veri. Studiuesit thonë se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol kyç në përcaktimin e kufijve. "Ideja këtu është që t’u jepet njerëzve një alternativë. Nëse ata duan të shkojnë në zonë më të sigurtë, qeveria do t’i ndihmojë ata, do t’i mbrojë gjatë zhvendosjes së tyre, do t’i ndihmojë të shesin shtëpinë, të gjejnë shtëpi të re dhe një punë të re."

Plani i dy studiuesve bazohet mbi një propozim të senatorit Joseph Biden, kandidat demokrat për prtesident dhe zotit Leslie Gelb, ish president i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky propozim nuk ka fituar mbështetjen e administratës.

Politika aktuale amerikane synon ngritjen e një qeverie të fortë qendrore në Irak. Por Edward Joseph thotë se kjo strategji ndoshta nuk ka më kuptim. "Ngjarjet e viteve të fundit tregojnë se sa më shumë që pushteti të përqendrohet në Bagdat, aq më tepër do të dominojnë shiitët." Studiuesit thonë se plani i tyre nuk parashikon tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane. Përkundrazi, ata vlerësojnë se për të paktën një vit, forcat amerikane do të mbeten në nivelin e tanishëm - rreth 150 mijë. Pas ndarjes së butë të vendit, thotë O'Hanlon, në Irak mund të duhen rreth 50 mijë trupa amerikane për një periudhë disavjeçare. //rd//

XS
SM
MD
LG