Lidhje

Dita Botërore e Popullësisë


Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, dita e sotme, 11 korriku, është Dita e Popullsisë së Botës dhe aktualisht vëmendja përqendrohet tek problemet që lidhen me shtimin e popullsisë në botë. Ky aktivitet i përvitshëm vjen në momentet kur në një raport të Kombeve të Bashkuara thuhet se bota është duke kaluar valën më të madhe të përqendrimit të popullsisë në zonat urbane.

Raporti i Kombeve të Bashkuara na jep disa statistika shkurajuese. Deri në vitin 2008, më shumë se gjysma e popullsisë së botës, 3.3 miliard njerëz, do të përqëndrohen në zonat urbane. Deri në vitin 2030, ky numër parashikohet të rritet në 5 miliard, ose 60% e popullsisë së botës. Popullsia në zonat urbane të Afrikës dhe Azisë parashikohet të dyfishohet gjatë së njejtës periudhë.

Raporti thekson se të varfërit do të vazhdojnë të jenë pjesa dërmuese e popullsisë në këto zona. Më shumë se 90% e lagjeve të të varfërve sot është në vendet në zhvillim. Azia Jugore ka përqindjen më të madhe, e ndjekur nga Azia Lindore, Afrika nen Sahariane dhe America Latine.

Thoraja Obaid, Drejtore Ekzekutive e Zyrës së Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara tha: “Zyrtarët dhe hartuesit e politikave duhet të sigurohen për një planifikim të mirë të sipërfaqeve urbane, për të patur një strehim të mirë dhe jo të krijojë lagje të varfëra dhe kjo gjithashtu është e rëndësishme për shërbimet sociale të cilat do t’i ndihmojnë njerëzit të kenë një jetë të kënaqëshme”.

Lawrence Smith Junior është President i Institutit të Popullsisë, një organizatë jo fitimprurëse në Washington që kërkon të pakësojë shtimin e menjëhershëm të popullsisë. Smith thotë se një nga problemet është se shumë vende në zhvillim nuk kanë programe për trajnime për punë dhe për të ndihmuar të sapoardhurit, punëtorë të palualifikuar, veçanërisht që të rinjtë të jenë pjesë e fuqisë punëtore. “Në qoftë se gjendet mundësia e investimeve për biznes, objekte prodhimi, ato mund të përdorin këta njerëz si fuqi punëtore, por shpesh herë ata duhet të trajnohen dhe shkollohen për të qenë të aftë për të punuar. Por kur nuk ekziston mundësia, siç e thashë, ata nuk kanë se çfarë të bëjnë”, thotë Smith.

Një shqetësim tjetër është shëndeti dhe edukimi i grave, krijimi i një jete më të mirë për nënat dhe fëmijët. “Në shumë vende gratë pak a shumë punojnë 7 herë më shumë se burrat për kujdesin ndaj fëmijëve. Ne e dimë se gratë bëjnë 2/3 e volumit të punës në botë, marrin 10% të të ardhurave botërore dhe kanë në pronësi vetëm 1% të pasurisë botërore”. Smith thotë se në vendet në zhvillim, inkurajimi i grave për të marrë më shumë vendime rreth planifikimit familjar është një hap përpara që t’i bëjë burrat të tregojnë më shumë respekt ndaj tyre.

Raporti i Kombeve të Bashkuara thotë se planifikuesit e urbanistikës duhet të vënë në zbatim plane të menjëhershme për të marrë masa në lidhje me shtimin e shpejtë të popullsisë. Këto plane duhet të sigurojnë vendstrehime dhe shërbime për të varfërit, ndërkohë që t’u përgjigjen problemeve rreth kushteve të përgjithshme të banorëve ekzistues. //rd//

XS
SM
MD
LG