Lidhje

"Ecja në qiell" e Kanionit të Madh në Arizonë


Kanioni i Madh në Arizona ka qene një nga shtatë mrekullitë natyrore të botës. I skalitur nga Lumi Kolorado gjatë miliona viteve, gryka shumëngjyrëshe është mbi 400 kilometra e gjatë dhe 24 kilometra në gjërësinë më të madhe. Tani vizitorët në këtë destinacion popullor për turizmin kanë një mënyrë tjetër për të parë pamjet mbresëlënëse të kanionit.

Ballkoni në formën e patkoit të kalit shtrihet 21 metra mbi buzën e Kanionit të Madh duke krijuar një pikë unike për vizitorët që të shohin poshtë në humnerën dhe Lumin Kolorado 1200 metra poshtë. David Jin, ndërtuesi i projektit “ecja në qiell” kujton eksperiencën e tij që i solli këtë ide.

"Ishte viti 1996. Bëra një turne me helikopter të Kanionit të Madh nga poshtë lart. Pas kësaj, ëndërrova si do të ishte të ecje mes shkëmbinjve. Kështu më lindi ideja e ecjes në qiell".

Ndërsa Jin do të përfitojë nga 30 milion dollarët e projektit 25 vjeçar, indianët Hualapai që ranë dakort për ndërtimin e ballkonit në tokën e tyre përgjatë pjesës perendimore të Kanionit shpresojnë që të ardhurat nga turizmi do të ndihmojnë në pakësimin e varfërisë në komunitetin e tyre. Sheri Yellowhawk është drejtues ekzekutiv i Korporatës Turistike të Kanionit të Madh që mbikëqyr biznesin e turizmit për fisin.

"Do të sjellë përfitime për njerëzit tanë. Peach Spring është 56 milje nga këtu. Kemi shumë probleme sociale, shumë nevoja; nevojë për arsim, nevojë për të moshuarit, nevoja qeveritare për infrastrukturë etj. Ka për të patur më shumë vende pune. Dhe këtu ka vetëm 2 mijë e 200 anëtarë. Kështu që do ketë punë jo vetëm për Hualapai por edhe për ekonomitë përreth".

Ballkoni pritet të jetë pjesa qëndrore e industrisë së turizmit për indianët Hualapai ku përfshihen helikopterë, lundrim në lumë, një qytezë kaubojsash dhe një muze me sende indiane. Theodore Quasula, presidenti i bordit të drejtorëve në rizortin e Kanionit të Madh thotë se udhëheqësit e fisit kanë vizione përtej turizmit dhe përfitimeve.

"Ne duam të rrënjosim vlerat, kulturën dhe të mos harrojmë nga kemi ardhur. Dhe kështu duhet të kujdesemi edhe për ata që do të vijnë pas nesh. Duam të sigurojmë që të rinjtë në veçanti kanë të gjitha mjetet për t’u arsimuar, duam që ata të kthehen e të menaxhojnë këtë kompleks. Pak vite më pas besoj se do tja arrijmë këtij synimi".

Pas tre vjet ndërtimi, ballkoni u hap për publikun në mars të vitit 2007. Qysh atëherë indianët Hualapai kanë parë një rritje gjashtë herë të numrit të vizitorëve. Por jo të gjithë e mbështetën ballkonin për ecjen në qiell. Një nga ata është Robert Arnberg, ish drejtuesi i parkut kombëtar të Kanionit të Madh.

"Kanioni i Madh meriton shumë më tepër sesa thjesht emocionet e një ecjeje në një shëtitore që varet mbi buzën e tij”.

Por ndërtuesi David Jin tha se projekti i ballkonit është bërë duke marrë parasysh ambjentin, riciklon ujin dhe përdor energjinë djellore. Përveç kësaj, struktura është hartuar t’i qëndrojë forcës së erërave të uraganëve si dhe tërmeteve të fuqishëm. Deri tani ballkoni ka tërhequr më shumë se 100 mijë vizitorë. //iç//

XS
SM
MD
LG