Lidhje

Kosovë: Policia shkëmben zjarr me persona të armatosur


Policia e Kosovës shkëmbeu zjarr sot me disa persona të armatosur pranë fshatit Radishevë të komunës së Skënderajt, por nuk ka viktima apo të plagosur. Zëdhënësi i Policisë së rajonit të Mitrovicës, Besim Hoti, i tha sot Zërit të Amerikës, se njësitë policore që shkuan të kontrollonin zonën pranë fshatit Radishevë, hasën në rezistencë nga persona të paidentifikuar, dhe policia shkëmbeu zjarr me ta, por pa arritur t’i shohë vizualisht.

Zoti Hoti tha se rreth orës 4 të pasdites së sotme, policia në Skënderaj ishte informuar nga 3 fshatarë nga Radisheva, të cilët thanë se kishin parë më tepër se 3 persona me uniforma të zeza dhe armë të gjata. Policia ka reaguar menjëherë duke shkuar për të kontrolluar vendin e ngjarjes, ku ka hasur në rezistencë nga persona të dyshimtë të paidentifikuar deri tani. Zëdhënësi I policisë tha se kanë qëlluar të dyja palët, edhe personat e armatosur, edhe policia.

Ai tha gjithashtu se të gjitha njësitë e policisë në zonë, të mbështetura nga policia ndërkombëtare dhe paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë janë në kërkim të këtyre personave të armatosur, në uniformë. Kërkimi po bëhet në zonën përreth fshatit Radishevë dhe në rrugën që e lidh këtë fshat me fshatrat e tjerë të zonës së Zubin Potokut. Radisheva është një fshat I banuar me shqiptarë në zonën e Skënderajt, që kufizohet me fshatra të banuara me serbë deri në Zubin Potok, komunë e pjesës veriore të Kosovës. //kk//

XS
SM
MD
LG