Lidhje

Momente të vështira për Bankën Botërore


Banka Botërore në Washington, agjencia më e madhe kundër varfërisë, ka pasur probleme dhe presidenti i saj u detyrua të largohej nën presionin e personelit të revoltuar. Kjo bankë, pronë e 180 vendeve anëtare, është nën trysni nga nga të gjitha krahët.

Banka Botërore ka qenë shënjestër e protestave që kundërshtojnë aktivitetin e saj gjithëbotëror duke e akuzuar se është agjente e kapitalizmit, një vegël e korporatave të mëdha.

E krijuar në fund të Luftës së Dytë Botërore, Banka Botërore zakonisht planifikon 20 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim. Deri më sot, kjo bankë është dhuruesi më i madh në Afrikë. Ajo është bërë një institucion me 10 000 punonjës.

Duke u përpjekur të zgjerohet shumë, kritikët thonë se banka ka humbur qartësinë e saj. Përpara daljes në pension, Denis de Tray, drejtoi veprimtarinë e Bankës në Azinë Qendrore.

“Asgjë e keqe nuk do të ndodhë në qoftë se shkurtohet 40% e punonjësve të bankës. Banka është shumë e madhe dhe për sa kohë që është e tillë do të gjenden rrugë për të punësuar njerëz”.

Ka ankesa se banka ende nuk ka bërë sa duhet për të luftuar korrupsionin dhe ndihmon diktatorë të neveritshëm, megjithë përqendrimin e presidentit të kaluar në këtë problem. William Easterly, një ish-punonjës i bankës është bërë kritik i ashpër i saj:

“Sasia e ndihmës që për vendet me korrupsion në fakt është rritur dhe kjo ka ardhur në rritje gjatë periudhës që ne kemi diskutuar shumë për luftën kundër korrupsionit. Faktikisht, gjendja në Bankën Botërore në luftë kundër korrupsionit po keqësohet”.

Analistë të pavarur thonë se 44 shtete që marrin hua nga banka janë tepër të korruptuar.

Konservatori Adam Lerrick, i Institutit amerikan Enterprise në Washington, thotë se banka nuk duket t’u japë hua vendeve me një mesatare të kënaqëshme të ardhurash, si Kina. Sektori privat thotë ai, i ndihmon njerëzit të dalin nga varfëria shumë më tepër se sa Banka Botërore.

“Në 30 vitet e fundit bota ka ndryshuar dramatikisht, por banka ka refuzuar të ndryshojë sëbashku me të. Në këtë moment Bankës Botërore i ka rënë rëndësia në ekonominë botërore”

Kjo mënyrë e të shprehurit është acaruese thotë Eugene Rotberg, një mbrojtës i vendosur i bankës, i cili punoi për 12 vjet si nenpresident dhe shef i thesarit.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ende ka të uritur dhe mungesë ushqimi, ekziston ende një varfëri e rëndë, ka akoma mungesë vendesh pune dhe një nivel të lartë papunësie. Ende ka një nivel të ulët edukimi, gratë nuk përparojnë në përputhje me aftësitë e tyre në shumë vende të botës”.

Robert Zoellick, një ish zyrtar i respektuar i qeverisë amerikane, sapo ka fillur detyrën e tij 5-vjeçare si President. Ai zëvendësoi Paul Wolffowitz-in, i cili u detyrua të largohej. Zoellick do të përballojë një situatë të vështirë në rifokusimin e misionit të bankës ndërkohë që i duhet të sigurojë klientët dhe punonjësit, si dhe të bindë vendet e zhvilluara, anëtare të bankës për më shumë kontribute.//kk//

XS
SM
MD
LG