Lidhje

Afganistan: Gjashtë roje sigurimi vriten nga shpërthimi i një bombe


Sipas zyrtarëve afganë, shpërthimi i një bombe në anë të rrugës shkaktoi vdekjen e të paktën 6 rojeve të sigurimit që punonin për një kompani private.

Incidenti ndodhi në provincën Paktia që kufizohet me Pakistanin. Guvernatori i provincës, Akram Akhpalwak tha se rojet po udhëtonin me një automjet kur ndodhi shpërthimi.

Po sot, presidenti afgan Hamid Karzai fali një djalë pakistanez 14 vjeçar, që akuzohet se ishte dërguar për të vrarë një guvernator province me një mision shpërthimi vetvrasës. Në një ceremoni në Kabul, ku merrte pjesë djali dhe i ati i tij, zoti Karzai tha se ai e fal djalin dhe i drejton akuzat ndaj atyre që e rekrutuan atë.

Presidenti Karzai tha se ishin armiqtë e Islamit ata që e futën adoleshentin në rrugë të gabuar. Djali në fjalë ishte kapur muajin e kaluar me një jelek bombash në trup duke ngarë një motocikletë në Afganistanin lindor.

Ai tha se ishte rekrutuar nga militantët e medresesë ku mësonte. Ai ishte stërvitur për të ngarë motocikletën dhe për të vrarë guvernatorin e Provincës Kost në Afganistanin lindor, por u arrestua natën para se të kryente aktin e planifikuar. //kk//

XS
SM
MD
LG