Lidhje

Shtëpia e Bardhë hedh poshtë planin e dy senatorëve për Irakun


Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë një thirrje nga disa senatorë republikanë të fuqishëm, për një rishikim të strategjisë në Irak. Senatorët kërkojnë që Presidenti të paraqesë një projektplan të ri për Irakun.

Ata janë dy udhëheqës të Senatit për çështjet e sigurisë kombëtare. Senatori Xhon Uorner i Virxhinias është kryetari republikan i Komisionit të Forcave të Armatosura. Senatori Riçard Lugar i Indianës është zyrtar i lartë republikan në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë.

Ata kanë propozuar ligje, të cilat i japin kohë administratës deri në mesin e tetorit, për ta rishikuar politikën dhe të dalin me një plan, i cili do të kufizonte misionin e trupave amerikane në Irak, në ndihmesën për stërvitje ushtarake, për mbrojtjen e kufijve, si dhe të pasurive të Shteteve të Bashkuara, si luftë kundër terrorizmit.

Ata thonë se tani, kur kanë kaluar më tepër se 4 vjet nga dëbimi i Sadam Huseinit, është koha që Kongresi ta riautorizojë edhe një herë luftën, duke patur parasysh se natyra e luftimeve atje ka ndryshuar.

Por Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Sigurisë, Stivën Hadli, tha mbrëmë në një intervistë për televizionin Fox se propozimi Warner-Lugar nuk është i nevojshëm, duke shtuar se një proces i rregullt për rishikimin e strategjisë së Presidentit për Irakun, tashmë ka filluar. Zoti Hadli tha se ky proces do të fillojë në muajin shtator.

"Ai do të fillojë me një raport të komandantit tonë në Irak, Gjeneralit Petreas, si dhe ambasadorit tonë atje, Rajën Kroker. Ata do të vijnë këtu në shtator, me një numër raportesh të hartuara nga brenda administrates dhe disa të tjerë jashtë saj dhe kjo do të jetë koha për të shqyrtuar çështjet dhe pikëpyetjet që kanë ngritur zotërinjtë senatorë" , - tha zoti Hadli.

Pak më vonë, në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, senatori Uorner përmendi vlerësimet shpeshherë kundërthënëse të kohëve të fundit të administratës, për përparimin e bërë në Irak dhe shprehu dyshimin, në se trupat shtesë të dërguara nga Presidenti Bush, do t’i përshtateshin vullnetit politik në Bagdad.

" Para së gjithash, ne e filluam politikën për shtimin e trupave në Irak, me synimin që të përmirësohet gjendja e sigurisë në Bagdad dhe kjo t’i jepte mundësi qeverisë së atjeshme të arrinte sukses. Por nuk duket se po arrihet përparimi që ne kishim parashikuar. Prandaj, mendoj se Presidentit do t’i duhet të bëjë disa ndryshime dhe unë kam besimin se ai do ta bëjë një gjë të tillë dhe do t’i raportojë për këtë Kongresit."

Propozimi Uorner-Lugar, po ashtu është pritur me rezerva edhe nga demokratët në Senat, të cilët kërkojnë një afat të caktuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Mes tyre është senatori Xhim Ueb i Virginias. Ai tha në një intervistë për rrjetin televiziv NBC, se politika e Presidentit ka dështuar:

"Ne kemi arritur në një pikë, kur duhet të jemë të gjithë në një zë në Kongres dhe t’i japim një zgjidhje kësaj çështjeje."

Të shtunën, kryeministri irakian Nuri Al Maliki u tha gazetarëve, se forcat irakiane janë të gatshme për të ruajtur gjendjen e sigurisë në vend, kurdo që të largohen trupat amerikane. Por dje, Ministri i Jashtëm irakian, Hoshiar Zebari tha në një intervistë se kryeministri nuk po kërkonte tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane prej andej.

"Tërheqja, vërtet është synimi ynë. Por kryeministri nuk kishte parasysh tërheqjen e menjëhershme, apo largimin e trupave."

Ministri i Jashtëm irakian i bëri këto komente në një intervistë që dha mbrëmë në rrjetin televiziv CNN.//lk

XS
SM
MD
LG