Lidhje

Ethet e arit dhe rrënimi i fisit indian Çeroki


Dy dekada para rendjes së famshme të vitit 1849 drejt floririt në Kaliforni, kërkimet e para për ar në Amerikë u bënë në shtetin juglindor të Georgia-s. Por kjo thuajse i shkatërroi indianët e fisit Çeroki. Në vazhdim do t'ju njohim pikërisht me historinë e këtij fisi që lulëzoi, por më pas u shkatërrua për shkak të rendjes arit.

Menaxherja e Muzeut Historik Dahlonega në Gjeorgji, thotë se pikërisht kështu filluan kërkimet e para për floririn në Amerikë. “Në vitin 1828, Benjamin Parks kishte dalë në gjueti për drerë, rreth 10 kilometra larg nga ky vend, kur gishtat e këmbës i ndeshën në një gur me madhësinë e një veze. Ai ishte në ngjyrën e floririt.”

Dan Parks është stërnipi i Benjamin Parks. Ai udhëheq këtu grupet e turistëve për në Minierën e Arit “Consolidated Gold Mine”, që në ato kohë ishte operacioni më i madh për gjetjen e arit në lindje të Lumit Missisipi. "Ai tregonte se brenda një dite u nxorrën 25 kilogramë ar, që në atë kohë kishte vlerën e 13 mijë dollarëve."

Jonny Parker ka zhvilluar kërkime për historinë e kërkimit të floririt për më tepër se 20 vjet. Ai udhëheq vizitat nën tokë të turistëve. "Para se të futemi nën tokë, do t’ju bëj një histori të shkurtër të kërkimit për flori. Fjala Dahlonega do të thotë “toka e metalit të verdhë”, ose guri i verdhë, që mund të ulesh ta marrësh dhe ta fusësh në xhep. Brenda një viti këtu u gjetën 15 mijë miniera ari, pra, imagjinoni, në një kohë kaq të shkurtër dhe në një zonë kaq të vogël!"

Parker thotë, se gjatë valës së parë të kërkimit për floririn, në vitet 1829-1839, u gjetën miniera me vlerën e dhjetra miliona dollarëve. Në vitet e lulëzimit të saj, në minierën “Consolidated Gold Mine” punonin 1 mijë e 200 minatorë.

Megjithatë, ethet e arit në Gjeorgji patën një çmim. Teresa Walker, e Qendrës Historike Elkota, thotë se fiset indiane Çeroki, të cilëve u ishte dhënë toka me marrëveshje, u detyruan të largohen prej andej. "Në vitet 1800 dhe 1830, Presidenti Jackson vendoi t’i zhvendoste indianët Çeroki prej këtu, për në Oklahoma, për t’ia liruar vendin të ardhurve. Indianët Çeroki janë i vetmi fis që nuk deshën të largohen nga pronat e tyre. Ata luftuan me armë për të mbrojtur tokat, sepse ata ishin banorët e parë këtu..."

Megjithatë, Angela Johnson thotës e lufta e tyre ishte e kotë. Shteti i Gjeorgjisë ua mori tokat indianëve. Imigrimi i detyruar i indianëve Çeroki filloi dimrin e vitit 1838. "Ai ishte dimri më i ashpër i parë ndonjëherë në ato anë. Në udhëtimin e tyre për në Oklahoma, Indianëve Çeroki iu desh të ecnin në mes të borës, që ishte 3 metra e lartë."

Walker thotë se 4 mijë vetë, rreth një e katërta e popullsisë Çeroki, vdiqën gjatë atij udhëtimit që zgjati për 5 muaj dhe që u quajt më vonë “rruga e lotëve”. Përsëri në Dahlonega, Dan Parks thotë se ditëve të begata u erdhi fundi në vitin 1906, kur çmimi i arit ra në mënyrë të ndjeshme. "Shumë njerëz, as që dinë gjë fare për floririn në këtë rajon. Ata kanë dëgjuar vetëm për Kaliforninë. Edhe pse rendja pas arit ishte një aktivitet i rëndësishëm në historinë e Amerikës, ai u mjegullua në fakt, nga aspekti negativ i tij, që ishte “Rruga e Lotëve”. //ii

XS
SM
MD
LG