Lidhje

Shqipëri: Konfliktet pozitë-opozitë mbi Presidentin e ri vazhdojnë


Situata politike rreth çështjes se presidentit të ardhshëm të vendit thuajse nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdheniet mes shumicës dhe opozitës. Votimi i tretë solli vetëm futjen në lojë të kandidatit të ri Neritan Ceka dhe nxjerrjen jashtë gare të ish kryeministrit Fatos Nano, duke nxitur kështu përplasjet e brendshme në partinë socialiste.

Gjithshka vazhdon të vërtitet rreth emrit të nënkryetarit demokrat Bamir Topi, i papranushëm nga e majta dhe i cilësuar sot si president i ardhshëm i vendit nga kryeministri Sali Berisha:

"Raundi i tretë dëshmoi qartë se së shpejti do të kemi presidentin e Republikës dhe se zoti Topi është kandidati i fitores së kësaj gare. Me keqardhje më duhet të konstatoj se partia kryesore e opozitës dhe aleatë të saj, po bëjnë çdo përpjekje për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Opsioni i opozitës për zgjedhje të parakohshme është i gabuar dhe shumë i pajustifikuar. Ndaj dhe një herë i bëj thirrje dhe i ofroj bashkëpunimin që të bëhet pjesë e këtij procesi kushtetues".

Por thirrja e kryeministrit duket se nuk ka asnjë vlerë për opozitën përsa kohë emri i zotit Topi do të mbetet në garë. Kushti i tyre mbetet i pandryeshueshëm, edhe pse tashmë një aleat i tyre zoti Neritan Ceka është në garë:

"Kandidatura e zotit Ceka në momentin që flasim nuk përbën asnjë arsye që opozita dhe të ndryshojë qëndrim. Kandidatura e zotit Ceka sot është pjesë e një përpjekjeje të mazhorancës për të tërhequr opozitën në proces. Nëse në garë mbetet deri në fund mbetet Bamir Topi, PS dhe opozita do të jenë aty ku i takon te qytetarët duke ndërtuar procesin për zgjedhje të parakohshme"

Por ndërsa emri i zotit Ceka nuk ka sjellë ende asgjë të re për një marrëveshje për presidentin, nxjerrja jashtë loje e ish kryeministrit Fatos Nano për shkak të kandidimit të tij solli sot debate të forta në grupin parlamentar socialist. Zoti Nano ka kërkuar që grupi të çojë në gjykatë çështjen e dy votimeve të para për president, një variant i hedhur poshtë nga kryetari socialist Edi Rama:

"Në rast se për asrye të ndryshme këtë nuk do ta bëjë grupi, atëherë do ta bëj unë si kandidat i cënuar".

Debatet kanë qenë shumë të forta brenda mbledhjes dhe zoti Rama mësohet t'i ketë thënë zotit Nano se tashmë ka ikur koha kur komandonte ai dhe kur partia merrte urhdëra prej tij. Kërcënimi i ish kryetarit socialist ka qenë i ashpër kur thuajse i ka shpallur luftë partisë së tij me deklarimin se në shtator do të krijojë një lëvizje të tijën. Megjithatë jashtë mbledhjes zoti Nano ofroi një tjetër panoramë duke sulmuar kryeministrin Berisha dhe aleatët e Partise socialiste:

"Une akuzoj mazhorancën e sotme dhe disa politikanë të shitshëm dhe lehtësisht të opozitës të cilët po na çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme".

Brenda javës pritet që parlamenti të caktojë votimin e katërt i cili duhet të mbahet brenda ditës së premte. //ad//

XS
SM
MD
LG