Lidhje

Ngrohja globale në pikëpyetje nga disa shkencëtarë


Javën e parë të korrikut, në vende të ndryshme të botës u zhvilluan disa koncerte për të tërhequr vëmendjen e njerëzve mbi problemin e ngrohjes globale, për të cilin ish-zëvendës Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Al Gore thotë se është kërcënimi më i madh që i është shfaqur njerëzimit në ditët e sotme. Shumica e shkencëtarëve në botë kanë të njëjtin mendim se ky është një problem, më së shumti i shkaktuar nga njerëzit, me përdorimin e lendëve djegëse që shkatojnë efektin serë dhe që sjellin ngrohjen e Tokës. Al Gore dhe shkencëtarët të cilët përgatitën raportin mbi ndryshimet klimaterike në Kombet e Bashkuara thonë se i ka ardhur fundi debateve dhe është koha të veprohet. Por disa shkencëtarë të njohur, që merren me ndryshimet klimaterike janë duke kundërshtuar këto thënie, duke theksuar se debati ende nuk ka filluar.

Në filmin “Një e vërtetë e papëlqyeshme”, ku është bashkautor ish-Nënpresidenti Al Gore, rreziqet e krijuara nga ngrohja globale janë paraqitur në mënyrë grafike, me fotografi, harta dhe skica. Pikëpamja e tij është se nuk mund të humbet më kohë për trajtimin e çështjes së ngrohjes globale.

“Ajo që është në rrezik, është mundësia jonë për të jetuar në planetin Tokë,” shprehet zoti Gore.

Reklamat e filmit, shumë imazhe dhe çfarë Al Gore prezanton në këtë film, kundërshtohen nga një personalitet në fushën e studimeve klimaterike në Shtetet e Bashkuara, 77 vjeçari William Gray, në Universitetin Shtetëror të Kolorados për Shkencat Atmosferike, shpreh rezerva për idetë e shprehura në film.

"Al Gore bën deklarata që unë nuk mund t’i bëj. Ai bën supozime që nuk janë të vërteta. Mendoj se ka shumë fakte të gabuara në këtë film," thotë shkenëtari.

Zoti Gray kundërshton idenë se uraganët po shtohen dhe kanë një fuqi më të madhe, si pasojë e ngrohjes globale. Ai nuk kundërshton faktin se temperatura e tokës po ngrihet, por mendon se shtimi i dioksidit të karbonit dhe gazeve të tjerë nuk luan ndonjë rol për këtë. Edhe shkencëtarë të tjerë, midis tyre dhe disa që e mbështesin zotin Gore në përgjithësi, kanë rezerva për disa gjëra që thohen në film.

“Po, është e vërtetë që ne po shohim një ngrohje të përgjithshme, por unë mendoj se kjo vjen kryesisht nga veçoritë e qarkullimit të oqeaneve,” thotë zoti Gray.


Ai beson se pakësimi i lendëve djegëse, do të dëmtonte ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të industrializuara dhe në fund të fundit, kjo do të kishte një rol fare të vogel, ose nuk do të ndikonte aspak për të ndaluar ngrohjen globale. Ai thotë se ngrohja globale po i tërheq vemendjen njerëzve nga problemet më kryesore të botës.

“Ne kemi shumë probleme të tjera shqetësuese që janë më të rëndësishme, si varfëria, Sida, terrorizmi. Për mua, ngrohja globale është sa për të tërhequr vëmendjen. Ata thonë se është problemi më i madh me të cilin po përballet njerëzimi. Ky është një ekzagjerim trashanik”, - thotë shkencëtari.

William Gray ka në plan të shkruajë një libër, ku do të hedhë poshtë argumentet e zotit Al Gore dhe të aktivistëve të tjerë të ngrohjes globale. //ad//

XS
SM
MD
LG