Lidhje

Trajtim hormonal i dhimbjeve; Mekanizëm qelizor kundër mbipeshës


Trajtim hormonal i dhimbjeve kronike të zemrës

Pacientët me sëmundje kronike të zemrës së shpejti mund të jenë në gjendje të gjejnë një burim tjetër lehtësimi. Mjekët në një klinikë në Sidni të Australisë kanë treguar se inxheksioni i një hormoni tek pacienti mund të jetë shumë më i efektshëm sesa mënyrat e deritanishme për lehtësimin e dhimbjeve kronike të zemrës.

Shkencëtarët pranë Institutit kërkimor Kardiologjik Viktor Çang janë gadi të fillojnë provën e dytë me një hormon i cili zevendëson trajtimet e deri tanishme për pakësimin e dhimbjeve. Ata thonë se kjo teknikë e re është një inxheksion i hormonit G-SCF i cili mund të ndihmojë miliona njerëz që vuajnë nga zemra.

Peter Makdonald është mjek kardiolog dhe profesor i mjekësë në universitetin South New Wales i cili bashkëpunon me institutin kërkimor Viktor Çang. Ai thotë se trajtimi me hormon është provuar tek 20 pacientë dhe tek shumë prej tyre është vënë re një përmirësim i dukshëm. Studimi u përqëndrua në krijimin e qelizave të reja të gjakut nga qelizat embrionale për të zevendësuar qelizat e dëmtuara. Shkencëtarët injektuan hormonin për të nxitur çlirimin e qelizave embrionale.

Profesor Bob Graham është drejtor i Institutit Kërkimor Kardiologjik Viktor Çang. Sipas tij, ky studim mund të cilësohet i jashtëzakonshëm, pasi për një trajtim të tillë nevojiten vetëm një seri inxheksionesh me hormon.

75 vjeçarja Yvone Moore vuan nga zemra dhe i është nënshtruar një operacioni bajpas. Pas operimit, mjekët i thanë se nuk mund të bënin gjë tjetër për të. Por pasi morri pjesë në këtë studim, Moore thotë se trajtimi me hormon ka ndryshuar jetën e saj. Tani ajo mund të eci e t’u ngjitet shkallëve e kodrës me lehtësi, diçka që më parë nuk ishte në gjendje ta bënte.

Në fazën tjetër të studimit, mjekët do të përfshijnë edhe 40 pacientë të tjerë me sëmundje kronike në zemër.

Gjysma e tyre do të injektohen me hormon, ndërkohë të tjerëve do t’u jepet placebo. Nëse një teknikë e tillë trajtimi provohet plotësisht e suksesëshme, kjo do të pakësojë nevojën e transplantimit të zemrës. Doktor Graham thotë se mënyra e re e trajtimit me hormon mund të ndihmojë për zgjatjen e periudhës para se i sëmuri të ketë nevojë për transplantim të zemrës. Mënyra e re e trajtimit të sëmundjes së zemrës me hormon mund të fillojë të përdoret gjërërsisht brenda 3 vjetëve.

Kërkime në fushën e luftës kundër mbipeshës

Shkencëtarët në shkollën mjekësore pranë universitetit Xhorxhtaun në kryeqytetin amerikan thonë se mund të kenë zbuluar mekanizmin që nxit shtimin e qelezave të dhjamit, gjë që shkakton mbipeshën dhe si pasojë sëmundje të tjera.

Shkencëtarët e kanë ditur prej kohësh se midis stresit kronik dhe mbipeshës ekziston një lidhje. Tani ata thonë se në këtë drejtim kanë bërë një përparim të madh. Doktoresha Sofia Zukovska pranë universitetit Xhorxhtaun thotë se në këtë laborator është zbuluar mekanizmi nëpërmjet të cilit njerëzit vënë dhjamë kur ata janë në gjendje ankthi, shqetësimi ose të stresuar dhe hanë ushqime me nivele të larta yndyrnash e sheqeri. Rëndësia e zbulimit është se duke njohur këtë mekanizëm, shkencëtarët tani mund ta kontrollojnë atë.

Doktoreshë Zukovska dhe kolegët e saj krijuan për minjtë në laborator të njëjtin stres që do të provonin në gjendje të lirë si përshembull kur një mi ose grup minjsh sulmojnë njëri tjetrin. Pastaj minjëve iu dha ushqim i ngjashëm me një ushqim të shpejtë dietik. Shkencëtarët vunë re se minjtë filluan të dhjamoseshin e të rëndoheshin nga pesha si pasojë e shtimit të një kimikati të quajtur neuro-peptide Y. Ky kimikat vihet në veprim nga stresi dhe nxit shtimin e qelizave dhjamore.

Në këtë rast, thotë shkencëtarja, këto qeliza ushqehen njëherësh nga një grup venash që i bën ato të shumëzohen e rriten.

Kështu dhjami i minjëve u shtua e u bë më i dukshëm në pjesën e barkut, në atë pjesë të trupit ky dhjami zë vend lehtësisht edhe tek njeriu. Dhjami në këtë pjesë të trupit bëhet i rrezikshëm pasi prek mëlçinë e zemrën, duke shkatuar sëmundje të zemrës dhe rritjen e niveleve të kolesterinës, tension gjaku, diabet e hemoragji cerebrale ose bllokim arteresh. Por shkencëtarët zbuluan se duke përdorur një tjeter kimikat ata ata mund ta bllokojnë kimikatin neuro-peptide Y që shkakton dhjamosjen.

Mjekja Zukovksa thotë se krahas pakësimit të dhjamosjes në pjesën e barkut ata gjithashtu janë në gjendje të përmirësojnë metabolizmin, ndërsa tek minjtë u pa se problemet si hipertensioni, niveli i lartë i sheqerit dhe dhjami në mëlçi, u pakësua dukshëm ose u parandaluan.

Kimikati neuro-peptide Y duket se vepron njësoj edhe në organizmin e njeriut dhe nëse kjo vërtetohet, atëherë mund të thuhet se zbulimi në laboratorin e universitetit Xhorxhtaun, është një hap i madh përpara kundër mbipeshës dhe sindromës së metabolizmit. Ndërkohë, provat me minjtë në laborator vazhdojnë dhe do të duhet pak kohë, përpara se një mënyrë e tillë të provohet tek njerëzit.

XS
SM
MD
LG