Lidhje

Këshilli i Sigurimit mblidhet sot në përpjekje për të miratuar rezolutë për Kosovën

  • Victoria Cavaliere

Shtetet e Bashkuara thonë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot për një përpjekje ndoshta të fundit që të miratojë një rezolutë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Diplomatët amerikanë thonë se fati i kësaj rezolute varet nga Rusia e cila ka deklaruar se do t’i verë veton çdo pakete që i jep Kosovës pavarësi nga Serbia.

Projektrezoluta e paraqitur zyrtarisht të martën mbrëma parashikon që Kosova dhe Serbia të rifillojnë negociatat për një periudhë prej 120 ditësh në përpjekje për të arritur një kompromis mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Pas kësaj periudhe Kombet e Bashkuara do t’ja dorëzojnë administrimin e Kosovës Bashkimit Evropian.

Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës por thotë se do t’i jepte asaj autonomi speciale.

Ambasadori amerikan pranë Kombeve të Bashkuara, Zalmai Kalilzad, thotë se projektrezoluta e tanishme gëzon mbështetje të gjerë në Këshillin e Sigurimit me një përjashtim të vetëm, dhe kjo është Rusia.

"Ose kjo do të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit, nëse Rusia luan rol konstruktiv, duke hedhur një hap në drejtimin e duhur ose përndryshe Rusia do të jetë përgjegjëse për nxjerrjen e kësaj çështjeje jashtë Këshillit të Sigurimit," tha ambasadori Kalilzad.


Rusia gëzon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe ka deklaruar se do të hedhë poshtë çdo rezolutë që kundrshtohet nga aleatja e saj, Serbia.

Të martën, Bashkimi Evropian tha se mund ta tërheqë çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës nga Këshilli i Sigurimit nëse Moska nuk pranon një rezolutë brenda një kohe të shkurtër.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë shprehur shqetësimin se pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, Kosova mund ta shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanëshme. //ii

XS
SM
MD
LG