Lidhje

Bush: Terrorizmi, problemi kryesor në takimin me zotin Ban Ki-moon


Terrorizmi ishte problemi kryesor për Presidentin Bush në takimin që ai zhvilloi të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm diskutuan mbi krizën humanitare në rajonin e rrënuar të Darfurit në Sudan dhe mbi hetimet e ndërmara nga Kombet e Bashkuara për vrasjen e politikanëve antisirianë në Liban.

Por Presidenti u përqëndrua tek terrorizmi kur foli me gazetarët, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm, i cili u bë në të njëjtën ditë kur nga të dhënat e shërbimeve sekrete del se al-Qaida është e vendosur të sulmojë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush tha se këta terroristë do të ishin sot shumë më të fortë në qoftë se trupat amerikane nuk do të kishin qëndruar në ofensivë. Ai përsëri u përpoq të shfrytëzojë aktet terroriste të vitit 2001 ne New York dhe Washington për të justifikuar luftën në Irak, e cila e ka humbur popullaritetin, duke thëne se është në interes të Amerikës të shkatërrojë al-Qaida-n jashtë vendit për të parandaluar sulme të ardhshme brenda Shteteve të Bashkuara.

“Këta njerëz kanë bërë kauzë pikërisht me njeriun i cili urdhëroi sulmet në 11 shtator të vitit 2001, Osama bin Laden. Dhe ata dëshërojnë që ne të largohemi nga disa zona të botës, si Iraku, që ata të ulen atje këmbëkryq dhe nga ku të përhapin ideologjinë e tyre helmuese. Ne qëndrojmë të palëkundur në vendimin tonë që jo vetëm të mbrojmë popullin amerikan, por të mbrojmë edhe këto demokraci të reja”, tha Presidenti.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, tha se Iraku është një problem për të gjithë botën dhe organizata që ai drejton është e gatshme të ndihmojë qeverinë e Irakut për të kaluar vështirësitë.

“Ne do të ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve politike, si dhe rindërtimin ekonomik dhe social. Gjithashtu, do të vazhdojmë procesin e marrëveshjes ndërkombëtare për Irakun, si dhe një takim të zgjeruar të ministrave të jashtëm. Kjo do të krijojë mundësi të mira për popullin e Irakut dhe për komunitetin ndërkombëtar që të punojnë së bashku për paqe dhe siguri në Irak”, tha zoti Ban Ki Moon.

Të hënën, zoti Ban u shpreh kundër një tërheqjeje të menjëhershme të forcave amerikane nga Iraku, duke thënë se kjo mund të çonte në një keqësim të mëtejshëm të gjendjes së sigurimit.

Presidenti Bush tha se është shumë shpejt të gjykosh nëse vendimi i tij për të dërguar 30 mijë trupa të tjera shtesë në Irak po jep rezultat. Demokratët e opozitës kërkojnë një afat të caktuar për tërheqjen. Sipas tyre, të gjitha trupat ushtarake duhet të jenë larguar nga Iraku deri në prillin e ardhshëm.

Presidenti Bush dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban diskutuan gjithashtu rreth Iranit, Koresë së Veriut, Afganistanit, konfliktit izraelito-palestinez dhe ndryshimit të klimës globale. //ii

XS
SM
MD
LG