Lidhje

Ekspertët: Dollari duket se do të vazhdojë rënien


Disa ekspertë thonë se rënia e vlerës së dollarit amerikan në krahasim me Euron dhe monedhat e tjera europiane mund të ketë pasoja serioze në vështrimin afatgjatë. Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan dëgjoi dje mendimet e disa ekspertëve të ekonomisë, të cilët thonë se vlera e dollarit duket se do të vazhdojë të bjerë.


Anëtari i Komisionit, Ron Paul, republikan konservator, tërhoqi vemendjen ndaj rënies së dollarit. Paraja amerikane, tha ai, ka humbur këtë vit 9 përqind kundrejt euros dhe akoma më shumë kundrejt disa monedhave të tjera.

"Dollari ka humbur më shumë se 10 përqind kundrejt sterlinës britanike. Madje ka humbur edhe ndaj rupisë indiane. Nëse do të kishit patur në fillim të vitit rupi indiane, sot do të kishit fituar 13 përqind," tha kongresmeni.


Zoti Paul pyeti pastaj tre ekspertë të ekonomisë nëse amerikanët duhet të shqetësohen nga rënia e dollarit. Alan Meltzer, profesor në Universitetin Carnegie Mellon të Pitsburgut tha se dollari është dobësuar për shkak të rritjes së borxhit të jashtëm të Amerikës.

"Problemi në vështrimin afatgjatë është serioz. Nëse pyesni se çfarë do të ndodhë me dollarin në të ardhmen, atëhere duhet të besoni se në vështrimin afatgjatë dollari do të bjerë në vlerë. Përse? Sepse në thelb, ne si vend investojmë më shumë se sa kursejmë. Ne kursejmë shumë pak."


Benjamin Friedman i Universitetit Harvard tha se asnjë vend tjetër nuk do t’ja dilte dot po të kishte një deficit kaq të madh tregtar sa Shtetet e Bashkuara. Ai tha se është mungesë përgjegjësie nga ana e Amerikës që ka një deficit të jashtëm të barabartë me 6,5 përqind të të ardhurave kombëtare.

Megjithatë, asnjëri nga ekspertët e ekonomisë që folën nuk shikon ndonjë rrezik në faktin që Kina dhe Japonia kanë akumuluar rezerva gjigande dollari. Asnjëri nga këta dy vende, thanë ata, nuk do të fitonte duke shitur rezervat e dollarit për të zhvlerësuar më tej monedhat e tyre.

Jamie Galbraith, djali i nobelistit të njohur të ekonomisë John Kenneth Galbraith, është profesor në Universitetin e Teksasit.

"Problemi, siç e shikoj unë, qendron në faktin se sistemi, ashtu si të gjithë sistemet monetare, është në vetvete i rrezikuar. Ai mund të bjerë pre e një tronditjeje, e një krize apo paniku, e një shkatërrimi me kalimin e kohës."


Asnjëri nga ekspertët nuk qe në gjendje të parashikojë se sa kohë do të vazhdojë të bjerë dollari. Por ata thanë se një rënie e mëtejshme do të ndihmonte duke ulur çmimet e eksporteve amerikane. Kjo do të shtonte eksportin dhe si rrjedhojë do të pakësonte përmasat e deficitit tregtar. //ii

XS
SM
MD
LG