Lidhje

Një qendër pune ndihmon imigrantët e paligjshëm


Gjetja e një pune është diçka e vështirë, madje edhe më e vështirë po të jesh imigrant i ri i paspecializuar. Por disa njerëz në Montgomeri të Merilandit kanë gjetur një zgjidhje.

Distrikti Montgomeri i shtetit Meriland, në periferi të Uashingtonit, ka përjetuar një zhvillim të madh vitet e fundit. Ekonomia e fortë lokale ka krijuar vende të reja pune në industrinë e ndërtimit dhe gjetkë.

Gjetja e punëtorëve për punë të caktuara në qytetin Gaithërsburg në Montgomeri, filloi në anë rrugësh dhe në sheshe parkimi. Shumë prej këtyre punëtorëve imigruan nga Meksika dhe Amerika Qëndrore.

Por këto tregje jozyrtare të punës shkaktuan probleme dhe përçarje në komunitet. Zgjidhja ishte krijimi i një qendre punësh me mëditje, ku takohen punëtorët me punëdhënësit. Qendra e punës u shndërua në një çështje të nxehtë për gati 3 vjet, para se rreth saj të merrej një vendim pas seancave publike dhe takimeve të shumta të shoqëruara me ndjenja të forta pro dhe kundër kësaj praktike.

Anëtari i Këshillit të Qytetit të Gaithërsburgut, Henri Marafa shpreh mendimin e tij, që e kanë edhe shumë kundërshtarë të kësaj qendre pune.

“Së pari, kur ekziston një qendër punësimi, aty ka një numër njerzish, që presin për punë, sepse ata janë ilegalë. Kjo qendër punësimi ka krijua një pikë të caktuar dhe si pasojë më shumë imigrantë të paligjshëm po vijnë në zonën tonë.”

Kur qyteti i Gaithërsburgut vendosi të mos e lejonte më ekzistencën e kësaj qendre pune, distrikti i Montgomerit ndërhyri dhe e mori qendrën nën kontroll.

Distrikti hyri në partneritet me një grup, që mbron imigrantët, i quajtur KAZA, për të administruar qendrën e re. Anëtari i grupit KAZA, Fernando Geravito, i cili menaxhon qendrën e punësimit, shpjegon se pse kjo qendër është më mirë se sa punësimi i njerzve në anë të rrugës.

“Kemi një vend të sigurtë, ku punëtorët vijnë dhe punëdhënësit pranojnë punëtorët. Punëdhënësit marrin punëtorë të besueshëm. Ne krijojmë një komunikim midis punëtorëve dhe punëdhënësve.”

Zoti Geravito thotë se punëdhënësit vijnë në qendër dhe mbushin një listë me llojet e punëtorëve, për të cilët kanë nevojë, si punë në ndërtim, në restorant apo në zbukurimin e oboreve. Pastaj qendra gjen punëtorët, që plotësojnë nevojat e punëdhënësve.

Disa herë, një numër njerzish intervistohen para se punëdhënësi të gjejë punëtorin, që mund të bëjë punën që ai do.

Duke ardhur në qendrën e punësimit, punëdhënësit duhet të pranojnë të paguajnë një pagë të caktuar. Dhe në se punëdhënësi nuk paguan në kohë, qendra mbledh fondet nga punëdhënësit për punëtorët.

Zëdhënësi i Distriktit të Montgomerit, Patrik Lacefield, thotë se qendra e punësimit nuk është thjeshtë një vend për të gjetur punë, por edhe një hap drejt integrimit të këtyre punëtorëve dhe familjeve të tyre në komunitetin ku banojnë.

“Kur je punëtor me mëditje nuk ke një profesion për të ardhmen. Ne dëshirojmë t’u krijojmë këtyre njerzve mundësinë që të gjejnë punë. Ne synojmë gjithashtu t’i angazhojmë ata në jetën e përditshme, që ata të mosojnë anglisht, të marrin kurse kualifikimi në mënyrë që një ditë të jenë pjesë e ekonomisë së rregullt dhe jo ekonomisë jozyrtare.”

Debatet rreth hapjes së Qendrës për Punëtorët me Mëditje nuk morën fund me hapjen e saj. Ka ende kundërshtarë të kësaj ideje, që mendojnë se kjo qendër nxit imigracionin e paligjshëm dhe është diçka negative për komunitetin. Por distrikti i Montgomerit e ka bërë fare të qartë se kjo qendër do të qëndrojë e hapur, madje mund të hapen të tjera si ajo. //ze//

XS
SM
MD
LG