Lidhje

Pakistan: 36 të vdekur nga 2 shpërthime vetëvrasëse


Dy shpërthime vetëvrasëse në Pakistan shkaktuan vdekjen e të paktën 36 vetëve sot, ndërkohë që shkallëzimi i dhunës ekstremiste ka shtuar trysninë ndaj Presidentit Pervez Musharaf.

Autoritetet thonë se të paktën 29 vetë u vranë kur një person kreu sulm vetëvrasës pranë një autokolone me inxhinierë kinezë në Hub, një qytet në provincën jugore Baluçistan.

Shpërthimi shkaktoi vdekjen e disa policëve dhe civilëve në zonë, por shtetasit kinezë nuk pësuan dëme. Në një tjetër incident, në veri-perëndim të Pakistanit, të paktën 7 vetë gjetën vdekjen kur një person kreu sulm vetëvrasës që kishte në shenjestër një akademi policore në qytetin Hangu.

Zyrtarët thonë se kryengritësit kanë vrarë mbi 140 vetë që kur qeveria bastisi një xhami radikale javën e kaluar. Bastisja duket se ka nxitur një valë ekstremizmi, duke shtuar numrin e sulmeve vdekjeprurëse gjatë ditëve të fundit. Ministri pakistanez i Informimit thotë se Presidenti Musharaf nuk ka në plan të tërhiqet nga lufta kundër ekstremistëve. //ad//

XS
SM
MD
LG