Lidhje

Di Karlo: Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme


Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, u shpreh zëvëndës-ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Rozmari DiKarlo, në një intervistë për Zërin e Amerikës. Zyrtarja amerikane u bëri thirrje palëve në proces të punojnë për të arritur në një platformë të përbashkët. Lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, zonja DiKarlo theksoi se është me shumë rëndësi, që ngërçi i tanishëm të kapërcehet, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt plotësimit të aspiratve të saj për t'u bërë anëtare e NATO-s. Me zonjën DiKarlo bisedoi kolegia, Isabela Çoçoli.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, një version i ri i rezolutës për Kosovën u vu në qakullim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për t’iu përgjegjur përsëri shqetësimeve të Rusisë. Për sa kohë do të vazhdohet me versione të tilla të kësaj rezolute?

Rozmari DiKarlo: Ne po përpiqemi shumë për t’iu përgjegur shqetësimeve të Rusisë. Ne vumë në qarkullim një tjetër version të kësaj rezolute këtë javë. Ne synojmë që kjo rezolutë të miratohet sa më parë. Ne kemi mbështetje të fortë në Këshillin e Sigurimit, jo vetëm nga evropianët por edhe nga vende të rajoneve të tjera të botës. Shumica e anëtarëve të Këshillit janë të mendimit se kjo çështje duhet të zgjidhet në një të ardhme të afërt. Ne do të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje, duke e mbajtur Rusinë të angazhuar dhe shpresojnë të arrijmë në një zgjidhje të kënaqshme. Ne kemi folur shumë për statusin e Kosovës dhe pikpamja jonë është se ne duhet patjetër të ecim përpara për zgjidhjen e kësaj çështjeje, tejet të rëndësishme për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Kosovën. Pikpamja jonë është se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme.

Zëri i Amerikës: Duket se Rusia i qendron pozitës të saj kundër pavarësisë së Kosovës në mbështetje të versionit sërb kundër pavarësisë së Kosovës. Si mund të kapërcehet kjo ngecje me Rusinë?

Rozmari DiKarlo: Me siguri që ne do të vazhdojmë dialogun. Ne kemi qënë gjithnjë të angazhuar në atë që ka mbetur e vetmja çështje e pazgjidhur në rajonin e Ballkanit, jo vetëm në 8 vjetët e fundit por që para 20 vjetësh kur Millosheviçi i hoqi Kosovës autonominë. Versioni më i fundit i rezulutës bën thirrje për një periudhë 120 ditëshe angazhimi mes palëve të interesuara, mes Serbisë dhe Kosovës, për të parë nëse ato mund të arrijnë në një qendrim të përbashkët. Ne besojmë se negociatat u konsumuan pranverën e kaluar, por duke patur parasysh shqetësimet e Rusisë dhe të disa vendeve të tjera nëpër botë, ne jemi të predispozuar edhe për një raund tjetër angazhimi, për të parë nëse të dy palët mund të ngushtojnë divergjencat dhe të bien dakord për një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët. Kjo është një nga mënyrat për t’iu përgjegjur shqetësimeve të Rusisë.

Zëri i Amerikës: Udhëheqja e Kosovës takohet të hënën me Sekretaren e Shtetit Kondolica Rajs. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Rozmari DiKarlo: Grupi i Unitetit do të vijë për t’u takuar me Sekretaren Rajs, anëtarë të këtij grupi kanë ardhur edhe herë të tjera në të kaluarën, natyrisht Kryeministri Çeku dhe Presidenti Sejdiu. Unë vetë jam takuar para disa kohësh me Sekretaren për këtë çështje. Ata do të diskutojnë me Sekretaren Rajs për gjendjen në terren, për shqetësimet e tyre. Sekretarja Rajs do t’i informojë ata për të gjitha diskutimet që ne kemi patur për çështjen e Kosovës dhe për rrugën që duhet ndjekur për të ecur përpara. Do të doja të theksoja se ne kemi punuar shumë mirë në Grupin e Kontaktit, me Kombet e Bashkuara dhe në mënyrë të veçantë me të dërguarin e OKB-së për Kosovën, Presidentin Ahtisari për statusin e Kosovës. Është me shumë rëndësi që të vazhdojmë të punojmë në kuadrin e këtij procesi dhe i inkurajojmë palët, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi të vazhojnë të bashkëpunojnë me ne në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, sepse ne kemi bindjen se kjo është rruga më e mirë për të zgjidhur çështjen e statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, sa herë që zhvillohen zgjedhje në Shqipëri situata tensionohet. E njejta gjë po ndodh edhe me zgjedhjen e presidentit. Çfarë do të thoshit për këtë prirje në politikën shqiptare?

Rozmari DiKarlo: Dëshiroj të them fillimisht se Shqipëria ka bërë shumë përparim, Shqipëria ka lënë pas një diktaturë të egër dhe ka ecur përpara me një sërë reformash politike, ekonomike dhe të mbrojtjes. Ne kemi kënaqësinë të shikojmë përparimin e bërë dhe të jemi partnerë me Shqipërinë. Megjithatë ne të gjithë e dimë se duhet bërë më shumë. Zgjedhjet janë me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike dhe me siguri mënyra se si vendi i bën zgjedhjet është e rëndësishme për aspiratat e Shqipërisë për të hyrë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne do të donim së tepërmi të shikonim që kjo ngecje të marrë fund shpejt, që të gjitha palët të arrijnë në konsensus, në mënyrë që të zgjidhet presidenti i ri i Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Duket sikur klasa politike shqiptare është më tepër e përfshirë në luftë për pushtet se sa e përqendruar në përgjegjesitë për të zgjidhur problemet e vendit. Si e shikoni ju këtë sjellje të klasës politike shqiptare?

Rozmari DiKarlo: Është shumë e qartë se populli i Shqipërisë do që udhëheqësit e vendit, politikanët të përqendrohen në çështjet që janë më të rëndësishme për të, ekonomia, shteti ligjor, një e ardhme më e mirë për të gjithë qytetarët e shumë çështje të tjera. Prandaj është shumë e rëndësishme si për qeverinë ashtu edhe për opozitën dhe për të gjithë partitë e spektrit politik shqiptar që të bashkohen dhe të përmbushin përgjegjësitë për avancimin e demokracisë në Shqipëri dhe t’u përgjigjen aspiratave të popullit që i ka zgjedhur.

Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi patur me udhëheqësit shqiptarë, dhe pritjen që iu bë presidentit Bush në Shqipëri, gjë që tregon marrëdhëniet e mira që ne kemi me Shqipërinë, vlerat e përbashkëta të dy vendeve tona dhe jemi optimistë për pasurimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri dhe pritjen që iu rezervua atij nga të gjithë elementët e politikës shqiptare. Çfarë partneri është Shqipëria në marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara?

Rozmari DiKarlo: Mendoj se Shqipëria është një partnere shumë e mirë, por mbart potencialin për të qënë një partnere edhe më e mirë. Ne kemi bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit, ne kemi punuar së bashku për ndërtimin e shoqërive, si në Afganistan, ne kemi vlera të përbashkëta, ne e dimë se Shqipëria është e preokupuar shumë për rajonin dhe luan një rol shumë të dobishëm në Evropën juglindore dhe në Ballkan. Në mënyrë të veçantë, ajo ka luajtur një rol tepër konstruktiv në çështjen e statusit të Kosovës. Të githa këto tregojnë se Shqipëria është një partnere shumë e mirë, por për momentin ne duam që të gjitha palët e spektrit politik shqiptar të kapërcejnë ngecjen për zgjedhjen e presidentit.

Zëri i Amerikës: Për një çështje tjetër. Pavarësisht se nga cilat parti kanë ardhur udhëheqjet e vendit, ato kanë goditur shtypin e lirë, siç është së fundi gjobitja e kanalit televiziv Top Chanel me 9 milionë dollarë. Çfarë do të thoshit për këtë qendrim?

Rozmari DiKarlo: Media, organiatat jo-qeveritare, dhe të gjithë elementetët e tjerë të shoqërisë duhet të punojnë së bashku në interes të përparimit të vendit. Çdo kush ka rolin e vet në demokraci, dhe pa diskutim këtu përfshihet edhe shtypi i lirë. Ne dëshirojmë së tepërmi që Shqipëria të jetë partnere e plotë me ne në NATO. Ne mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për integrimin në aleancë dhe në Bashkimin Evropian, megjithëse kjo është jashtë kompetencave tona. Por ne shqetësohemi kur shikojmë probleme të tilla, probleme siç është rasti i zgjedhjes së presidentit tani, rasti i zgjedhjeve të mëparëshme. Pjekuria politike është tepër e rëndësishme për t’u treguar të gjitha vendeve anëtare të NATO-s se Shqipëria është e përgatitur për të qënë anëtare plotësisht e angazhuar e kësaj aleance. //iç

XS
SM
MD
LG