Lidhje

Surroi: Plani Ahtisari të shndërrohet në agjendë legjislative të Kuvendit


Kryetari i Partise Ora, zoti Veton Surroi, i cili ka është shprehur me të madhe për nevojën për afatizimin e procesit të shpalljes së pavarësisë, ndodhet aktualisht ne Paris, ku eshte takuar me Ministrin e Jashtem francez zotin Berndard Kushner. Zoti Surroi dha një intervistë të drejtpërdrejtë për emisionin televiziv Ditari:

Zëri i Amerikës. Përqëndrohemi në takimin që sapo keni përfunduar. Çfarë diskutimesh keni zhvilluar me zotin Kushner dhe çfarë reagimesh keni marrë nga ai, nga Franca lidhur me zhvillimet në Kosovë?

Veton Surroi: Është e qartë se jemi në fazën kur po rrumbullaksohet fundi i procesit të arritjes së një rezolute në Këshillin e Sigurimit. Më duket që kjo do të ndodhë që sot. Kemi diskutuar për rrugën e vështirë që na pret përpara, por një rrugë të cilën duhet ta bëjmë së bashku. Zotit Kushner i paraqita qëndrimet, të cilat tashmë i kam bërë edhe publike, se ekipi negociator, në të kthyer nga Uashingtoni duhet t’i sugjerojë Kuvendit që Kosova të adoptojë paketën e Ahtisarit si agjendë të vet legjislative; si pikë të dytë që të vazhdojë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare në format e reja dhe natyrisht duke e sqaruar procesin i cili vjen, dhe e treta është që Kuvendi i Kosovës të përmbushë obligimet ndaj qytetarëve të vetë para Krishtlindjeve të këtij viti dhe të shpallë të shpallë pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, zoti Çeku u shpreh se në qoftë se shpallet pavarësia, ky nuk do të ishte një veprim i njëanshëm, sepse Kosova e bën këtë veprim në bazë të planit Ahtisari që është mbështetur nga aleatët e Kosovës. Nga takimi me zotin Kushner a mund të thoni se Franca është një ndër këto aleatë që do ta mbështesë shpalljen e pavarësisë?

Veton Surroi: Për shkak të korrektësisë diplomatike nuk mund të hy në detaje lidhur me çka është qëndrimi francez. Unë kam besim të plotë edhe tek miku ynë i vjetër, zoti Kushner, edhe tek Presidenti Sarkozi, të cilët kanë marrë një qëndrim më dinakim për sa i përket zgjidhjes. Duhet të dimë se periudha në të cilën po hymë do të jetë e vështirë dhe në këtë periudhë do të kemi nevojë për përkrahjen e të gjithë miqve tanë.

Zëri i Amerikës: Të hënën do të jeni në Uashington për takimin me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs. Çfarë do të kërkoni nga Shtetet e Bashkuara në këtë takim?

Veton Surroi: Siç e dini, edhe Sekretarja Rajs, më parë Presidenti Bush, pastaj nënsekretari Burns, të gjithë kanë përcaktuar se çfarë duhet të jetë fundi i këtij procesi, për sa i përket Kosovës dhe natyrisht për këtë ne iu falenderohemi. Eshtë shumë e qartë se pa lidershipin amerikan do të ishte e pamundur jo vetëm të mbërrijmë për sa i përket çështjes së statusit, por edhe të çlirohemi dhe ta ruajmë ekzistencën tonë. Në këtë fazë vizita jonë në Shtetet e Bashkuara duhet të sqarojë se si do të duket procesi i ardhshëm, duhet të prezantojmë qëndrimet dhe idetë tona dhe natyrisht të dëgjojmë se çfarë do të jetë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara në këtë proces kyç. Procesi do të jetë i vështirë, do të kërkojë shumë bashkëpunim, do të kërkojë shumë sqarime, do të kërkojë shumë punë dhe angazhim dhe natyrisht koezion brenda politik brenda Kosovës dhe një bashkëpunim të ngushtë me Perëndimin.

Zëri i Amerikës: A mund të na jepni një hartë kohore se çfarë do të ndodhë sapo të kthehehi nga këto takime në Prishtinë?

Veton Surroi: Ajo që duhet të ndodhë fillimisht është se Grupi i Unitetit duhet të akordohet se çfarë do të jetë qasja në të ardhmen. Kam besim se kjo do të ndodhë. Pastaj duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës dhe në një debat të përbashkët me Kuvendin e Kosovës duhet të përcaktohet harta e brendshme, agjenda e brendshme për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Në këto 4 muaj që ka kërkuar Këshilli i Sigurimit a do të ketë bisedime ndërmjet jush dhe Beogradit? Çfarë do të bëjë në këtë periudhë Prishtina?

Veton Surroi: Kjo çështje ende nuk është përcaktuar me qenë se nuk do të jetë më Këshilli i Sigurimit ai i cili do të kërkojë, por do të jetë Grupi i Kontaktit në rastin më të mirë. Dhe përderi sa të mos ketë akordim në Grupin e Kontaktit, nuk mund të paragjykojmë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A mund të ndikojnë zgjedhjet në Kosovë, duke u bërë një shkëputje e vëmendjes nga proceset që lidhen me statusin?

Veton Surroi: Ne e kemi biseduar këtë punë edhe me ekipin negociator, kemi konstatuar se do përmbushur natyrisht obligimi ligjor, do legjitimuar pas zgjedhjeve, udhëheqja e re, Kuvendi i ri, por ndërkohë duhet ruajtur uniteti në Grupin e Unitetit dhe çfarëdo sfide që ka të bëjë me procesin negociator të përballet me të. Unë besoj se kemi aq pjekuri si shoqëri që njëkohësisht të zhvillojmë edhe fushatë zgjedhore, por edhe të marrim pjesë në një proces të përcaktimit të statusit të pavarësisë së Kosovës, të njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga partnerët.

Zëri i Amerikës: Meqë sapo folët për ruajtjen e unitetit në ekipin negociator. Një pjesë e këtij grupi nuk ka qenë aq entuziaste për idenë e përcaktimit të një afati kohor për shpalljen e pavarësisë. Si do ta ruani këtë unitet, ndërkohë që duhet të paraqiteni si një grup i vetëm në takimet me zyrtarët ndërkombëtarë?

Veton Surroi: Mos harroni se këto janë ide në zhvillim. Kjo është pjesë e një debati demokratik. Pa dyshim se në fund ne do të mbërrijmë një pajtim rreth kësaj çështjeje. Do të kishte qenë më mirë, natyrisht, po të ishim nisur në rrugë me një përkrahje të plotë të Kuvendit të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur, për fat të keq. Por unë nuk kam dyshim se qëndrimi i Grupit të Unitetit do të jetë i njëzëshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG