Lidhje

OKB-ja heq dorë nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit për Kosovën


Diplomatët evropianë dhe amerikanë në Kombet e Bashkuara nuk e paraqitën projekt-rezolutën për statusin e Kosovës, duke vendosur që të mos e çojnë për votim për shkak të paralajmërimit të Rusisë për veton. Diplomatët thonë se do ta trajtojnë çështjen e statusit të Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit.

Zyrtarët amerikanë dhe Bashkimit Evropianë shprehën keqardhjen që Këshilli i Sigurimit nuk arriti dot të realizonte një marrëveshje për statusin e Kosovës.

Projekt-rezoluta parashikonte që t’u jepen Kosovës dhe Serbisë një afat prej 120 ditësh për arritjen e një kompromisi për statusin. Pas kësaj periudhe administrimi i Kosovës do t’i kalonte Bashkimit Evropian.

Rusia, një aleate e Serbisë kishte theksuar vazhdimisht se do t’i vinte vetos projekt-rezolutës, pasi i hapte rrugën pavarësisë së Kosovës.

Të premten, diplomatët perëndimorë thanë se bllokimi nuk u linte asnjë rrugëdalje përveç heqjes dorë nga rezoluta. Ambasadori i Kombeve të Bashkuara, Jean-Marc de La Sabliere tha se çështja do të kalonte tani jashtë Kombeve të Bashkuara.

“Rezultoi e pamundur të arrihej një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në projekt-rezolutën tonë të fundit bëhej thirrje për një periudhë të kufizuar diskutimesh. Ne kemi vendosur që të rifillojmë diskutimet brenda Grupit të Kontaktit dhe me palët me të njëjtën ide”.

Grupi i Kontaktit përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, France, Italia, Gjermania dhe Rusia. Ky grupim jozyrtar diskuton problemet në ish-Jugosllavi dhe asnjë anëtar i tij nuk ka të drejtën e vetos.

Megjithatë, ende mbetet e paqartë se si mund të përcaktohet statusi i Kosovës pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. La Sabliere tha se të gjitha problemet e paqartësuara duhet të zgjidhen shpejt.

“Nëse statusi i ardhshëm i Kosovës mbetet i papërcaktuar, ekziston një rrezik real që përparimi i shënuar nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet në Kosovë të fillojë të zhbëhet”.

Sot në Prishtinë, kryeministri i Kosovës i bëri thirrje Parlamentit të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme nga Serbia më 28 nëntor, si rezultat i dështimit për të arritur një kompromis ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara. //kk//

XS
SM
MD
LG