Lidhje

Shqipëri: Parlamenti mban sot votimin e katërt për presidentin


Në Shqipëri sonte do të zhvillohet votimi i katërt për presidentin e ardhshëm të vendit. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij se është siguruar edhe mbështetja e disa deputetëve të majtë, prania e të cilëve mund t’i garantonte nënkryetarit demokrat Bamir Topi kuorumin prej 84 votash.

Opozita e majtë vazhdon t’i qëndrojë vendimit politik të saj për të mos qenë e pranishme në sallën e parlamentit gjatë votimit të mbrëmjes, i katërti për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Vendimi i saj, ashtu sic ka ndodhur në të gjithë raundet e deritanishme, synon bllokimin e zgjedhjes së kandidaturës së nënkryetarit Bamir Topi. Pa praninë e së majtës mundësohet qënia në sallë e vetëm 84 deputetëve, aq sa në të vërtetë është dhe kuorimi minimal i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Por brenda kësaj shifre është edhe kandidati tjetër Neritan Ceka dhe deputeti i partisë së tij, të cilët edhe sot deklaruan se nuk mund t’ia kalojnë votën rivalit Topi as në këmbim të përfshirjes në qeveri.

Por duket se këto llogari mund të prishen nga vendimet individuale të disa deputetëve të majtë. Të paktën kryeministri Berisha ka njoftuar sot zyrtarisht grupin parlamentar se në sallë do të ketë disa përfaqësues të opozitës. Nëse kjo do të ndodhë, kuptohet lehtësisht se ata do të jenë të pranishëm për të votuar pikërisht kandidatin demokrat. Vështirë të besohet se ata mund të jenë aty si pasojë e ndonjë vokacioni demokratik apo përgjegjësie atdhetare. Për tërheqjen e tyre në sallë, shumica mund të ketë shfrytëzuar problemet brenda së majtës duke joshur dhe kënaqur interesat personale të disa prej përfaqësuesve të majtë.

Megjithatë ky është një skenar që pritet të verifikohet vetëm në momentin e hapjes së seancës për votim. Nëse raportet mbeten të pandryshuara, si dhe në votimet e tjera, janë të shumtë ata që besojnë se ditët e mbetura, deri më 24 korrik, do ta vështirësonin shumë pozitën e nënkryetarit demokrat Bamir Topinë garën e tij drejt presidencës, pasi trysnia e zgjedhjeve të parakohshme do të bëhej shumë e fortë. Zoti Topi megjithatë ka këmbëngulur vazhdimisht se në asnjë rast nuk do të tërhiqet, sikundër, po në mënyrë të përsëritur, opozita ka kërkuar largimin e tij si kusht për t’u rikthyer në parlament dhe për të votuar si një president konsensual, kandidaturën e zotit Ceka.//kk//

XS
SM
MD
LG