Lidhje

Serbia: Tërheqja e rezolutës në OKB - fitore e Beogradit dhe e Moskës


Serbia përshëndeti tërheqjen e projekt-rezolutës së re për statusin e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke e quajtur këtë një fitore të Beogradit dhe Moskës. Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica e quajti vendimin e djeshëm një fitore të ligjit dhe shtoi se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë negociatat.

Por Beogradi, i mbështetur nga Moska këmbëngul se bisedimet duhet të vazhdojnë nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit. Diplomatët perëndimorë thanë dje se tani e tutje bisedimet për Kosovën do të mbikqyren nga vendet e Grupit të Kontaktit. Asnjë nga këto vende nuk ka të drejtën e vetos.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se vendimi i djeshëm nuk do ta ndalë rrugën drejt pavarësisë. Ndërkohë, grupi negociator i Kosovës u nis sot për në Washington për takimin me sekretaren amerikane të shtetit Kondoliza Rice.

Qëndrimi i përbashkët i grupit negociator është që statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt ndërkohë disa anëtarë të grupit, kanë qëndrime më të avancuara. Kryeministri Agim Çeku, citohet të ketë përsëritur sot se Prishtina do të kërkojë në takimin me sekretaren amerikane të shtetit garanci dhe afate kohore për pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i partisë Ora, Veton Surroi, në opozitë, ka kërkuar që pavarësia të shpallet para Krishtlindjeve dhe ndërkohë të përgatitet dhe miratohet paketa legjislative bazuar në planin Ahtisari si dhe të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare. Parlamenti i Kosovës pritet të diskutojë më 30 korrik së bashku me grupin negociator zhvillimet në procesin e statusit dhe hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë nga Prishtina në këtë proces.

Prishtina ka shprehur gjithashtu keqardhjen që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk arriti të miratonte një rezolutë për Kosovën, ndërkohë që ka shprehur po kështu besimin në Grupin e Kontaktit, i cili pritet të udhëheqë procesin.

Ndërsa presidenti serb Boris Tadiç është shprehur se vendimin për statusin e ardhshëm të Kosovës mund ta marrë vetëm Këshilli i Sigurimit dhe se vetëm një vendim i tillë mund të gjejë mbështetje në të drejtën ndërkombëtare. Prishtina ka ritheksuar se Kosova do ta fitojë pavarësinë në një mënyrë a në një tjetër dhe ka nënvizuar mbështetjen e gjerë ndërkombëtare për planin Ahtisari, i cili ofron pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. //ii

XS
SM
MD
LG