Lidhje

Grupi negociator i Kosovës për vizitë në Uashington


Grupi negociator i Kosovës udhëtoi sot për në Uashington për në takimin me sekretaren amerikane të shtetit Condoleezza Rice. Qëndrimi i përbashkët i grupit negociator është që statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt ndërkohë disa anëtarë të grupit, kanë qëndrime më të avancuara.

Kryeministri Agim Çeku,citohet të ketë përsëritur sot se Prishtina do të kërkojë në takimin me sekretaren amerikane të shtetit,

Condoleezza Rice, garanci dhe afate kohore për pavarësinë e vendit. Kryetari i partisë Ora Veton Surroi, në opozitë, ka kërkuar që vendi ta shpallë pavarësinë para Krishtlindjeve dhe ndërkohë të përgatitet dhe miratohet paketa legjislative bazuar në planin Ahtisari dhe të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

Parlamenti i Kosovës pritet të diskutojë më 30 korrik së bashku me grupin negociator zhvillimet në procesin e statusit dhe hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë nga Prishtina në këtë proces.

Prishtina ka shprehur gjithashtu keqardhjen që Këshilli I Sigurimit nuk arriti të miratonte një rezolutë për Kosovën, ndërkohë që ka shprehur po kështu besimin në Grupin e Kontaktit, i cili pritet të

udhëheqë procesin. Ndërsa presidenti serb Boris Tadic citohet të ketë thënë se vendimin për statusin e ardhshëm të Kosovës mund ta marrë vetëm institucioni i Këshillit të Sigurimit të OKB-së – dhe se vetëm një vendim i tillë mund të gjejë mbështetje në të drejtën ndërkombëtare.

Prishtina ka ritheksuar se Kosova do ta fitojë pavarësinë në një mënyrë a në një tjetër dhe ka nënvizuar mbështetjen e gjerë ndërkombëtare për planin Ahtisari, i cili ofron pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. //kk//

XS
SM
MD
LG