Lidhje

SHBA: Të rinjtë nga Ballkani debatojnë për problemet botërore


Si mund të bëhet bota më tolerante, si mund të zgjidhen me sukses konfliktet? Për këto dhe tema të tjera po diskutojnë me bashkënxënësit e tyre amerikanë disa dhjetra të rinj europianë dhe euroaziatikë të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Ata vizituan këto ditë dhe ne patem rastin të bisedojmë me katër prej tyre nga Ballkani.

Shumë prej këtyre të rinjve vijnë nga rajone gjeografike të Europës ose të ish Bashkimit Sovjetik ku pak dekada më parë ose sundonin elitat totalitare ose marrëdhëniet ndëretnike shpreheshin në formën më të shëmtuar.

Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar por këta të rinj, që mund të jenë pjesë e rëndësishme e elitave të ardhëshme politike, thonë se ende ka nevojë për tolerancë, sidomos në Ballkan.

Nisma Ndëratlantike Benjamin Franklin që i ka sjellë në Shtetet e Bashkuara për një periudhë trejavore ka për qëllim t’i ndihmojë ata mes të tjerash të debatojnë për problemet botërore me nxënësit amerikanë.“Kemi studiuar mbi civilizimin, kemi studiuar mbi konfliktet nëpër botë, si ai i Darfurit në Sudan. Kemi bërë edhe diskutime në internet për çështje të ndryshme që ne i hapim vetë dhe i zhvillojmë po vetë. Ideja kryesore ishte për të krijuar marrëdhënie mes të rinjve amerikanë dhe evropianë në mënyrë që e ardhmja jonë të jetë e përbashkët dhe problemet e sotme t’i zgjidhim nesër pse jo së bashku,” thotë Anri Kodhelaj nga Shqipëria.

Anri reflekton kështu për problemet me të cilat ndeshet vendi i tij. “Mendoj se problemi më i vështirë politik që ekziston sot në Shqipëri është tranzicioni. Përvoja që ne fitojmë duke marrë pjesë në të tilla iniciativa besoj se do të na shërbejë duke mësuar nga demokracitë e vendeve të ndryshme.”

Visar Ramaj nga Prishtina thotë se gjatë diskutimeve praktike që ka patur me të rinjtë e tjerë për zgjidhjen e konflikteve ndërtenike tema e Kosovës ka qenë vazhdimisht e pranishme. “Mendoj se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt sepse ka tregues që situata mund të keqësohet edhe më tepër. Mbasi kemi punuar kaq shumë për çështjen e Kosovës, ne prindërit tanë dhe të tjerët për shekuj, ja vlen të punojmë për pavarësinë, për shtetin tonë po ja vlen që të jemi edhe pak të durueshëm.”

Arben Kalabrezi nga Mali i Zi mendon se megjithëse vendi i tij është i pavarur, përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike atje mbetet problem. “Mendoj se çështja është mjaft serioze sepse nuk ka një nivel tolerance që duhet të ekzistojë në një shtet, nuk ka një tolerancë të mirëfilltë. Të gjitha këto debate që zhvillojmë këtu mund të ndihmojnë për ta bërë më tolerant brezin e ri.”

Armend Ademi nga rrethinat e Tetovës nuk dëshiron të bëhet diplomat apo politikan por thotë se kontributin për vendin e tij mund ta japë duke u bërë bankier. “Nëse do të vija në krye të sistemit bankar të Maqedonisë, do të bëja të pamundurën që ai të zhvillohej. Maqedoninë e pengon ekonomia e zezë dhe prandaj unë do të mundohem ta zbus këtë fenomen. Mendoj se kam marrë njohuritë e duhura këtu në Shtetet e Bashkuara.”

Përveç Uashingtonit, itinerari i nxënësve të ardhur nga ana tjetër e Atlantikut përfshin edhe vizita në Karolinën e Veriut dhe në Pensilvani. //ii

XS
SM
MD
LG