Lidhje

Partia e Kryeministrit Erdogan, fituese e zgjedhjeve parlamentare në Turqi


Agjencia turke e lajmeve, Anatolia njoftoi se pas numërimit të shumicës së votave, Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit në pushtet në Turqi, siguroi fitoren në zgjedhjet parlamentare të ditës së djeshme. Kjo parti fitoi 341 nga 550 vendet e Parlamentit. Për hollësi të ndjekim korrespondentin e Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli:

Përkrahësit e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit e festuan herët fitoren e tyre. Kur mbi 95 për qind e votave ishin numëruar, Partia e Kryeministrit Rexhep Taxhip Erdogan fitoi thuajse trefishin e vendeve krahasuar me rivalen e saj, që zuri vendin e dytë, Partia Republikane e Popullit, që mundi të sigurojë 111 vende. Partia e Veprimit Nacionalist, fitoi 70 vende dhe kandidatët e pavarur siguruan 27 vende.

Pjesëmarrja në votime, sipsa vëzhguesve, ishte e madhe dhe nuk pati njoftime për parregullsi, apo incidente me dhunë. Pasi votoi, kryeministri Erdogan bëri thirrje për unitet kombëtar dhe tha se zgjedhjet do të forcojnë demokracinë në Turqi.

Një nga sfidat e para me të cilat përballet Parlamenti i Turqisë, është zgjedhja e Presidentit të vendit. Vitin e kaluar, zoti Erdogan e tërhoqi emërimin e Ministrit të Jashtëm, Abdullah Gul, që është një mysliman i devotshëm, pasi opozita pretendoi se kjo do të thonte që qeveria do të binte në duart e islamistëve dhe për këtë arsye, ushtria kërcënoi se do të ndërhynte.

Analisti për çështje politike, Murat Ciftkaya, profesor në Universitetin Yeditepe, thotë se shumë nga votuesit mbajtën anën e kryeministrit në çështjen e zotit Gul.

"Populli turk ka prirjen të votojë për njerëzit që kanë qenë dikur viktimë dhe mendimi im është se suksesi i Rexhep Taxhip Erdoganit ishte pikërisht rezultat i kësaj prirjeje", - thotë analisti.

Suksesi i kryeministrit në zgjedhjet e së dielës, shihet edhe si një lloj miratimi i votuesve për politikat ekonomike të qeverisë, që kanë ndihmuar në rritjen ekonomike për 4 vjet rresht. Por ndërsa Kryeministri ka siguruar një fitore të rëndësishme, duke fituar shumicën dërrmuese të votave, ai nuk ka arritur të sigurojë shumicën prej dy të tretash në Parlamentin e vendit. Kjo do të thotë, se atij do t’i duhet të ketë mbështetjen e një partie tjetër, për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Parlamenti duhet ta zgjedhë Presidentin e ri të vendit brenda 30 ditësh, në të kundërt, duhen mbajtur automatikisht zgjedhje të reja.//lk

XS
SM
MD
LG