Lidhje

Terroristët shfrytëzojnë kompani amerikane për faqet elektronike


Një organizatë jofitimprurëse në kryeqytetin amerikan, Washington DC, po ekspozon më shumë se 100 faqe interneti të kontrolluara nga organizata xhihadiste, por që përdorin shërbime amerikane interneti. Insituti për Kërkimet e Medias për Lindjen e Mesme, po i publikon këto faqe interneti në faqen e vet të internetit, me shpresën që kompanitë amerikane të internetit të eliminojnë vullnetarisht këto faqe xhihadiste disa prej të cilave nxisin aktivitete të dhunëshme dhe bëjnë thirrje për sulme terroriste. Disa nga këto faqe të organizatave xhihadiste filluan të zhduken brenda disa orëve.

Terroristët e al-Qaidës kanë treguar ekzekutimet e filmuara. Ata kanë filmuar dhe publikuar në internet sulmet ndaj forcave amerikane dhe irakiane. I kanë shprehur botës qëllimet e tyre...dhe e gjitha përmes internetit. Yigal Carmon drejton Insitutin për Kërkimet e Medias për Lindjen e Mesme këtu në Washington. Ai thotë se gjithçka në internet përfundon në sherbimet amerikane të internetit. “Interneti nënkupton Amerikën,” thotë ai duke shtuar se faqja elektronike e Jihadid Islamik Palestinez përdor shërbimin e internetit nga Teksasi. Një faqe tjetër muxhahedine afgane përdor internetin e një kompanie nga shteti Pensillvenia.

“Përkrahësit e xhihadid në Irak e kanë faqen e tyre nga shteti i Washingtonit. Në krye të faqes thuhet vrisni amerikanët kudo,” thotë zoti Carmon.

Rodney Loges drejton një firmë marketimi dhe ka punuar për dy kompani interneti. Ai thotë se në bazë të ligjit për lirinë e shprehjes gjërat nuk monitorohen. “Kjo nuk i lejon të vëzhgojnë. Përndryshe do të mbanin përgjegjësi për përmbajtjen,” thotë specialisti i internetit.

Por kompanitë e internetit mund të heqin faqet e organizatave që dihet se janë terroriste. Zoti Carmon thotë se kompanitë e internetit e bënë këtë tre vjet më parë kur organizata e tij ekspozoi faqet islamike në internet.

“Askush nuk i kontaktoi ata por ndodhi. Kontrolluam, por faqet e internetit ishin zhdukur”.

Pak orë pas një seance në Kongresin amerikan, një faqe elektronike irakiane u zhduk nga interneti i një kompanie amerikane në Teksas. Carmon thotë se kompanitë e internetit që mësojnë se strehojnë faqet elektronike të terroristëve apo nxitin dhunë...mund të dënohen. Dy anëtarë të Kongresit shprehën mbështetje për institutin. Demokrati nga Nju Jorku Gary Ackerman që drejton një komision për Lindjen e Mesme, thotë se është e mundur të veprohet në bazë të sigurisë kombëtare pavarësisht ligjit për të drejten e fjalës.

“Duhen studiuar detajet. Çështja është më shumë se ligjore për të bërë dallimet mes diskutimit dhe nxitjes, ndërmjet teorisë dhe faktit për konspiracion,” thotë ligjvënësi.

Imazhet e stërvitjes së terroristëve para 11 shtatorit shpesh erdhen nga kampet e al-Qaidës në vende si Afganistani. Tani, thotë Carmon, interneti është qendra e stërvitjes së xhihadistëve.

“Kjo është një armë jo-tradicionale e armikut. Përmes internetit ai rekruton dhe stërvit njerëz. Përmes internetit i nxisin ata të veprojnë. Interneti është jetësor për këto organizata. Dhe pa të është si të jesh pa krahë. ”

Insituti ka në plan të vazhdojë ekspozimin e aktiviteteve terroriste në internet me shpresën për t’u mohuar atyre një armë të fuqishme. //ad//

XS
SM
MD
LG