Lidhje

Kosova nuk do ta shpallë në mënyrë të njëanëshme pavarësinë

  • Beri Ud

Udhëheqësit e Kosovës u takuan të hënën me Sekretaren amerikane të Shtetit Kondolisa Rajs, ku theksuan se nuk do ta shpallin pavarësinë gjatë këtyre 4 muajve, kur të jenë duke u zhvilluar negociatat lidhur me statusin. Njofton korrespondeni i Zëri të Amerikës, Berri Ud:

Zyrtarët amerikanë thanë se udhëheqësit e Kosovës ranë dakord të presin për 120 ditë, para se të deklarojnë pavarësinë. Javën e kaluar, Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se në mungesë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit e cila rekomandon pavarësinë, Kosova mund ta vetëshpallë pavarësinë në muajin nëntor.

Rusia kërkoi zhvillimin e një raundi të ri bisedimesh për statusin e Kosovës, pasi e hodhi poshtë propozimin për pavarësinë e mbikqyrur, të propozuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari.

Kërcënimi i Rusisë për t’i vënë veton rezolutës së Këshillit të Sigurimit i detyroi vendet perëndimore ta tërheqin rezolutën e propozuar, që do të zbatonte planin Ahtisaari. Moska thotë se dhënia e pavarësisë Kosovës do të shkaktonte lëvizje separatiste në vende të tjera të botës.

Raundi i ri i bisedimeve do të udhëhiqet nga Grupi i Kontaktit, ku përfshihen Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe 4 vende të Evropës Perëndimore. Zyrtarë të nivelit të lartë të Grupit të Kontaktit do të takohen gjatë kësaj jave në Evropë, për t’u përgatitur për një raund bisedimesh, me ecejake diplomatike, mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtarët amerikanë thonë se pas 120 ditë bisedimesh të mëtejshme, nuk do të ketë më vonesa për çështjen e statusit të Kosovës. Si Shtetet e Bashkuara edhe Franca kanë thënë se pavarësia e Kosovës është e paevitueshme.

Kryeministri Çeku i tha Zërit të Amerikës se pas 120 ditësh do të ketë një shpallje të koordinuar të pavarësisë, me përfshirjen e Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

"Sot ne morëm një garanci të fuqishme, se pas kësaj periudhe, statusi do të zgjidhet dhe rezultati do të jetë pavarësia e Kosovës", tha zoti Çeku.

Zyrtarët amerikanë thonë se udhëheqësit kosovarë do t’i shfrytëzojnë 4 muajt e ardhshëm për të siguruar miratimin e Parlamentit të vendit për një Kushtetutë të re, ligjin elektoral, flamurin dhe simbolet e reja kombëtare, si dhe për krijimin e garancive për pakicën serbe.

Po të hënën, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan në Bruksel për Kosovën. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, cili ka një eksperincë të gjatë pune me vendet ballkanike, tha se është e nevojshme që Bashkimi Evropian prej 27 vendesh të jetë i bashkuar për çështjen e Kosovës. Greqia, Spanja, Qiproja dhe Sllovakia kanë shprehur hezitim për pavarësinë e Kosovës.

Sipas planit Ahtisari, Bashkimi Evropian do të marrë një numër të madh të përgjegjësive administrative në Kosovë, që aktualisht i kanë Kombet e Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë thonë se janë optimistë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të arrijnë një konsensus për Kosovën, por ata janë më pak optimistë që Moska mund të bindet që të bëhet pjesë e këtij konsensusi. //lk

XS
SM
MD
LG