Lidhje

Kryeadministratori i Kosovës paralajmëron kundër shtyrjes së statusit


Kryeadministratori Ndërkombëtar i Kosovës, Joakim Ryker, paralajmëroi fuqitë botërore për rrezikun që përbëjnë shtyrjet e mëtejshme në marrjen e vendimit lidhur me statusin final të Kosovës.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Ryker u tha sot gazetarëve në Prishtinë se ua ka bërë këtë paralajmërim zyrtarëve të Bashkimit Evropain në Bruksel.

Sot në Vjenë po zhvillohet një takim i Grupi i Kontaktit mbi Kosovën. Përfaqësuesit e 6 vendeve anëtare të këtij grupi, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia u takuan për të vendosur lidhur me një raund të ri të bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e zhvendosën çështjen e statusit të Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit dhe ia kaluan Grupit të Kontaktit i përbërë nga 6 vende, pasi Rusia kërcënoi se do t’i vinte veton një rezolute të OKB-së.

Dje në Beograd, parlamenti serb miratoi me shumicë dërrmuese votash një rezolutë të propozuar nga qeveria në të cilën hidhet poshtë çdo marrëveshje mbi pavarësinë për Kosovën që nuk buron nga Kombet e Bashkuara.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç tha se Këshilli i Sigurimit është vendi i vetëm ku një vendim mbi të ardhmen e Kosovës mund të njihet nga ligji ndërkombëtar.

Në rezolutë thuhet se autoritetet serbe do t’i përgjigjeshin “menjëherë dhe me forcë” çdo hapi që sipas saj rrezikon tërësinë territoriale të vendit. Por aty nuk thuhet se për çfarë përgjigje është fjala. //iç//

XS
SM
MD
LG