Lidhje

Anëtarë të Kongresit amerikan takohen me Grupin e Unitetit


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku la të kuptohet se udhëheqësit e Kosovës janë të vendosur të marrin vendime të vështira nëse periudha shtesë e bisedimeve Prishtinë-Beograd nuk çon në shpalljen e pavarësisë. Zoti Çeku i bëri komentet në një takim që Grupi i Unitetit i Kosovës pati dje në Uashington me anëtarë të Kongresit amerikan të cilët interesohen për çështjet shqiptare.

Në një pritje të dhënë dje nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-amerikan në bashkëpunim me grupin për çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, zoti Çeku u shpreh mjaft i drejtpërdrejtë në komentet e tij.

"Është e vërtetë se na është kërkuar të bëjmë një kilometër shtesë, një periudhë prej 120 ditësh dhe ne kemi rënë dakord. Por ne kemi kërkuar edhe një mbështetje shtesë nga Shtetet e Bashkuara për ta çuar procesin deri në fund. Ne do t’i kujtojmë çdo ditë Shtetet e Bashkuara për këtë angazhim. Ne ramë dakord ta bëjmë edhe këtë kilometër shtesë por ne presim që sakrifica jonë, arritjet dhe bashkëpunimi ynë të njihen. Nëse jo, tha kryeministri i Kosovës, ne jemi të gatshëm të marrim mbi vete përgjegjësitë, të marrim vendime të vështira dhe të ecim përpara".

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, një mbështetës i hershëm i pavarësisë për Kosovën shprehu zhgënjim ndaj zhvillimit të procesit të statusit të Kosovës deri tani:

"Ne jemi të zhgënjyer me Kombet e Bashkuara dhe me Këshillin e Sigurimit. Por unë e di se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara dhe do të mbeten të angazhuara për pavarësinë e Kosovës. Populli i Kosovës e meriton pavarësinë".

Ligjvënësi Robert Wexler nga Florida, kryetar i nënkomisionit për Europën në Kongresin amerikan, i bëri thirrje administratës që të mos i ketë duart e lidhura nga Rusia apo vende të tjera.

"Për të realizuar paqen dhe pavarësinë e Kosovës, do të ishte mirë që kjo të bëhej nga Kombet e Bashkuara. Kjo do të ishte rruga e preferuar. Por Shtetet e Bashkuara është e nevojshme të ecin përpara pa pranuar që t’u lidhen duart nga Rusia, Serbia apo ndonjë palë tjetër, synimi i të cilave nuk është paqja".

Ndërsa kongresmeni nga Kalifornia Dana Rohrabacher tha se populli i Kosovës ka të drejtën për të votuar dhe përcaktuar vetë fatin e tij dhe nuk ka nevojë që pavarësinë t’ja japin të tjerët.

"Nëse populli i Kosovës dëshiron të jetë i lirë dhe i pavarur, atëhere kështu duhet të ndodhë. Sepse kjo është e drejta e tyre. Populli i Shteteve të Bashkuara duhet ta kuptojë këtë më tepër se çdokush tjetër pasi ky është një parim bazë mbi të cilin është formuar vendi ynë".

Anëtarët e grupit të unitetit që morën pjesë në takimin me anëtarët e Kongresit shprehën besimin se Shtetet e Bashkuara do t’i qendrojnë angazhimit të tyre për të mbështetur pavarësinë e Kosovës.

"Shpesh herë dëgjojmë se Amerika është larg Europës, është larg Kosovës por ne kemi qenë dhe mbetemi miqtë më të fuqishëm".

Anëtarët e Kongresit të interesuar për çështjet shqiptare thanë se do t’i kujtojnë vazhdimisht administratës se angazhimi i tyre në Kongres në mbështetje të pavarësisë së Kosovës është i palëkundur. //iç//

XS
SM
MD
LG