Lidhje

Qytetarë të Kosovës ngrenë padi për krimet serbe të luftës


Familjarë të shqiptarëve të marrë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, trupat e të cilëve u gjetën më pas në varrezën massive të Batajnicës në Serbi, kanë filluar të ngrenë padi penale kundër personave dhe entiteteve që i konsiderojnë fajtorë për krimet ndaj tyre.

Lutfije Behrani, nga Vushtria, ka ngritur padi penale kundër të ashtuquajturit Shtab i Krizës në Vushtri, një organ i ngritur nga autoritetet serbe gjatë luftës, të cilin e ka akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Djali 16 vjeçar i zonjës Behrani, Burim Behrani dhe bashkëshorti i saj Rafet Behrani, kanë qenë në grupin e 88 shqiptarëve të rrëmbyer nga forcat serbe në Vushtri brenda një dite, dhe pas luftës, trupat e tyre janë gjetur në varrezën masive të Batajnicës, së bashku me trupat e qindra shqiptarëve të tjerë të ekzekutuar nga forcat serbe.

Vetëm në Batajnicë janë gjetur trupat e 78 shqiptarëve nga Vushtria të rrëmbyer prej aty gjatë luftës. Raportet mjeko-ligjore kanë provuar se të dy viktimat, babë e bir, ishin qëlluar me armë zjarri në kokë dhe në kraharor.

Zonja Behrani, e cila përfaqësohet nga avokati Tomë Gashi, tha sot se ishte e pakënaqur me punën që është bërë deri tani për gjetjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të krimeve të luftës në Kosovë. //iç//

XS
SM
MD
LG