Lidhje

SHBA: Kandidatët presidencialë mbi programin bërthamor të Iranit


Shumë prej kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 2008-s këtu në Shtetet e Bashkuara po e bëjnë të qartë se mendojnë që Irani nuk duhet të lejohet të shtjerë në dorë armë bërthamore. Kandidatët i pyeti të sqaronin qëndrimin e tyre grupi pro-izraelit i quajtur Projekti Izraelit. Mbi 84 mijë vetë kanë nënshkruar një peticion që është qarkulluar nga grupi dhe kërkon shtimin e trysnisë e Kombeve të Bashkuara mbi Iranin.

Senatori demokrat Barack Obama theksoi nevojën e një strategjie të gjerë diplomatike kundër Iranit. Ai tha se mbështet shtetet amerikane që kanë përjashtuar fondet e pensioneve të kompanive që mbështesin industrinë iraniane të naftës dhe gazit.

Senatorja demokrate Hillary Clinton e cilësoi Iranin si një kërcënim për aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe interesave amerikane në rajon dhe përtej tij. Ajo mbështeti idenë e shtimit të sanksioneve ekonomike mbi Iranin, si dhe mbylljen e shtigjeve në ligj që kompanitë amerikane mos t'u shmangen sanksioneve nëpërmjet të tretëve.

Republikani Mit Romney, ish-guvernator i shtetit Masaçusets, tha se Irani është i pandalshëm në përpjekjet e tij për të siguruar armë bërthamore. Edhe ai bëri thirrje për forcimin e sanksioneve, si dhe izolimin e Iranit nga ana diplomatike dhe angazhimin e botës arabe në këtë përpjekje.

Senatori republikan Sam Brownback tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë përpjekjet për komunikim me popullin iranian. Ai tha se një ndër kërcënimet më të mëdha sot janë armët bërthamore në duart e grupeve terroriste dhe shteteve që i sponsorizojnë ato. Ai tha se Irani është në ballë të këtij kërcënimi. //ad//

XS
SM
MD
LG