Lidhje

Pikëpamjet e arabo-amerikanëve në përgatitje për zgjedhjet e 2008-s


Një anketim mbarëkombëtar i kohëve të fundit, me pjesëmarrjen e arabo-amerikanëve, lidhur me fushatën e zgjedhjeve presidenciale, tregon se lufta në Irak do të jetë një çështje e rëndësishme në përcaktimin e mënyrës së votimit të arabo-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

Votuesit arabo-amerikanë kanë të njëjtën prirje, ashtu sikurse edhe amerikanët e tjerë, kur është fjala për çështjet e brendshme, si eknomia, sistemi shëndetësor dhe arsimi. Por anketimi i zhvilluar nga firma e pavarur amerikane Zogby International, arriti në përfundimin se për shumicën e arabo-amerikanëve, lufta në Irak është çështja më e rëndësishme në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008. James Zogby, vëllai i anketuesit John, është president i Insitutit Arabo-amerikan, që e organizoi anketimin:

"Kur u pyetën për të cituar dy çështjet kryesore të zgjedhjeve presidenciale, 61 për qind e arabo-amerikanëve të anketuar përmendën luftën në Irak dhe 31 për qind e tyre thanë se janë krijimi i vendeve të punës dhe ekonomia amerikane. Mendoj, se arsyeja përse arabo-amerikanët kanë një mendim të tillë, është se ata kanë një lidhje të fortë me luftën në Irak. Kjo na bën të mendojmë edhe pse ata kanë një qëndrim të ndryshëm nga amerikanët e tjerë, lidhur me afatin e largimit të forcave amerikane nga Iraku," thotë zoti Zogby.

Ndërsa shumica e amerikanëve mbështesin idenë e tërheqjes me faza të trupave, në anketimit e fundit të zhvilluar nga gazeta Los Anxhelos Times, 43 për qind e amerikanëve thonë se tërheqja duhte bërë brenda një viti, tek arabo-amerikanët, kjo shifër është më e lartë, 53 për qind e tyre mbështesin idenë e tërheqjes me faza.

Anketimi, po ashtu tregon, se 39 për qind e arabo-amerikanëve mbështesin demokratët, 26 për qind e tyre mbështesin republikanët dhe 28 për qind e tyre thonë se janë të pavarur. Ndërsa fushata presidenciale është ende në fazën e hershme, dhe ka ende një numër të madh kandidatësh në garë, katër kandidatë demokratë gëzojnë mbështetjen më të madhe nga votuesit arabo-amerikanë që identifikohen si demokratë dhe të pavarur.

"Senatori i Ilinoit, Barak Obama ze vendin e parë, duke patur mbështetjen e 37 për qind të anketuarve, i pasuar nga senatorja e Nju Jorkut Hillary Clinton, me 33 për qind, në vend të tretë vjen ish-senatori John Edwards dhe në vend të katërt, guverantori i New Mexikos, Bill Richardson me 10 për qind. Ndër kandidatët republikanë, më tepër mbështetje mes arabo-amerikanëve gëzon ish-kryetari i bashkisë së New Yorkut, Rudi Juliani, i pasuar nga senatori i Arizonës John McCain dhe në vend të tretë, është guvernatori i Massachusetsit, Mitt Romney," thotë zoti Zogby.

Këto shifra, janë pak a shumë të ngjashme me ato në nivel kombëtar. Por kur i pyesin në se do të votonin për kandidatin demokrat, për atë republikan, apo për atë të pavarur, 46 për qind e arabo-amerikanëve të anketuar thonë se kjo do të varej nga qëndrimi i kandidatëve ndaj çështjeve të ndryshme dhe jo se cilës parti i përkasin ata.

Thuajse dy të tretat e votuesve arabo-amerikanë thonë se do të votonin më tepër për një kandidat, i cili premton të luajë rol aktiv në procesin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por zoti Zogby e ve në pikëpyetje çështjen në se arabo-amerikanët do të bashkoheshin si një bllok i vetëm për të mbështetur një kandidat të vetëm.

Zoti Zogby mendon se të gjithë kandidatët presidencialë do të duhet të mbajnë një qëndrim të qartë ndaj çështjeve si lufta në Irak dhe konflikti izraelito-palestinez, në se duan të fitojnë votat e arabo-amerikanëve, një çmim i rëndësishëm, thotë ai, në disa nga shtetet kryesore të garës presidenciale, si Miçigani, Ohio, Pensilvania, dhe Florida, ku ka komunitete të mëdha arabo-amerikanësh.

Anketimi i zhvilluar nga kompania Zogby International, po ashtu zbulon se rreth 8 në 10 arabo-amerikanë e vlerësojnë negativisht punën e presidentit Bush. Mes një grupi arabo-amerikanësh, që u identifikuan si republikanë, mbështetja për presidenti ishte më e madhe, por edhe mes tyre vetëm një pakicë, prej 41 për qind e miratonin punën e Presidentit. //ad//

XS
SM
MD
LG