Lidhje

Bibliotekat amerikane i përshtaten rolit në rritje të kompjuterave

  • Mohamed Elshinavi

Bibliotekat publike në Shtetet e Bashkuara nuk janë më thjesht institucione të materialeve të shkruara. Katalogët në internet kanë zëvendësuar kartat, më shumë materiale janë në CD apo DVD dhe përdoruesit mund të kërkojnë për informacione edhe në qendra që fizikisht janë larg tyre. Ingrid Bowers është ndihmës menaxhere në Bibliotekën Pohik.

“Banka jonë e informacioneve është e mrekullueshme pasi të jep të gjitha llojet e librave elektronikë dhe artikujve të revistave apo gazetave, artikujt enciklopedik dhe tekset e plota në internet”.

Megjithë formatet e shumëllojshme të informacionit në shtyp dhe mediumet elektronike, zonja Bowers thekson rëndësinë që kanë punonjësit e bibliotekës për t’u shërbyer nevojave të konsumatorëve.

"Kur një konsumator kërkon ndihmë tek ne, duhet të marrin një vendim profesional, se cili është formati më i mirë i informacionit. Jo gjithmonë është libri. Duhet të kërkojmë në sistemin tonë të të për të ndihmuar sa më mirë konsumatorët".

Zonja Bowers thotë se konsumatorët në biblioteka mund t’i dërgojnë me email në shtëpi kërkimet e tyre. Ata mund të hyjnë edhe në bankën e informacionit të bibliotekës nga shtëpia, thotë menaxheri i bibliotekës, Jean Johnston.

"Ata mund të hyjnë në bankën e informacionit dhe mund të rezervojnë librat. Mund të kontrollojnë llogarinë e tyre. Shumë nga bankat e informacionit që kemi u japin atyre mundësinë e shtypit periodik në shumë raste teksin e plotë që mund ta marrin nga shtëpia. Shumë nga studentët dhe prindërit e tyre janë të kënaqur nga ky shërbim".

Johnston thotë se teknologjia e informacionit i ka lejuar bibliotekat publike të ofrojnë një shërbim të ri.

"Kemi një stacion ku mund të kërkosh ndihmën e punonjësve profesionalë të bibliotekës. Kështu që në se konsumatorët kanë pyetje mund të shkojnë aty, si në një dhomë bisedash në internet. Shpesh pyetjeve u përgjigjen punonjësit, herë të tjera jepet një referencë. Sistemi deri tani ka qënë i suksesshëm".

Me përhapjen e pajisjeve mobile të internetit, bibliotekat publike po u japin vizitorëve mundësinë e hyrjes virtuale në bibliotekë nga kompjuterat portabël dhe një dhomë të qetë për të punuar. Teknologjia e re i lejon gjithashtu bibliotekat të ofrojnë tekste të veçanta për të verbërit dhe libra elektronikë për fëmijët.

Sam Clay është drejtor në Administratën e Bibliotekave në distriktin Fairfax. Ai thotë se teknologjia e informacionit ka përmirësuar rolin e bibliotekave në edukimin dhe argëtimin e publikut.

"Bibliotekat nuk po japin shërbime të reja; ato po bëjnë të njëjta shërbime, por ndryshe, për shkak të teknologjisë. Teknologjia na ndihmon të zgjerojmë fushën tonë, të zgjerojmë atë që jemi në gjendje të ofrojmë për konsumatorët tanë".

Në bibliotekat publike të ditëve tona, interneti tërheq shumë lloje vizitorësh. Por teknologjia e informacionit nuk po zëvendëson nevojat e njerëzve për të lexuar fizikisht libra. //ze//

XS
SM
MD
LG