Lidhje

Uashingtoni mund të presë fondet për Këshillin e të Drejtave të Njeriut


Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së fondeve për Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, ngaqë, sipas tyre, nuk ka bërë punë të mirë, që nga koha e krijimit vitin e kaluar. Por mbrojtësit e të drejtave të njeriut po paralajmërojnë kundër një vendimi të tillë. Njofton nga Kongresi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Tate:

Këshilli i të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë u krijua në mars të vitit 2006, me synimin për të zëvendësuar Komisionin e të Drejtave të Njeriut, të konsideruar gjerësisht si të diskredituar. Në një sesion të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, për vlerësimin e ecurisë së punës së Këshillit, senatori demokrat i Floridës, Bill Nelson, tha se nuk ka shumë gjëra të rëndësishme për të raportuar për këtë çështje.

"Një vit pas krijimit të Këshillit, ne e gjejmë veten duke studjuar ecurinë e një organizmi që mendohet se i përkushtohet nxitjes së të drejtave të njeriut në mbarë botën, por që siç tregojnë faktet, ka dështuar të marrë masa, në raste krizash të rënda si ajo e Sudanit për shembull."

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Kristen Silverberg, tha se puna e anëtarëve të këshillit u kufizua kryesisht në miratimin e rezolutave për të dënuar Izraelin një aleat i afërt me Shtetet e Bashkuara.

"17 prej vendeve anëtare, po ashtu janë anëtarë të Organizatës Konferenca Islamike dhe vendimi i tyre për ta bërë dënimin e Izraelit si përparësi të Këshillit, nuk ja ka shtuar besueshmërinë Këshillit."

Washingtoni u zemërua së tepërmi muajin e kaluar, kur Këshilli i të Drejtave të Njeriut ndaloi zhvillimin e hetimeve ndaj Kubës dhe në Bjellorusisë, dy vende që janë cituar nga Departamenti amerikan i Shtetit për qëndrimin e tyre jo të mirë ndaj të drejtave të njeriut. Kohët e fundit, Komisioni i Jashtëm i Senatit miratoi një ligj për ndërprerjen e fondeve amerikane për Këshillin, një shifër prej rreth 3 milionë dollarësh, në shenjë proteste ndaj veprimeve të kësaj organizate të të drejtave të njeriut.

Ky projektligj i mbështetur nga Senatori Norm Coleman, ligjvënës republikan i Minesotës, pritet tani të miratohet nga i gjithë Senati... Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar tashmë ligjin. Ndihmëssekretarja e Shtetit Silverberg, nuk shprehu as mbështetje, por as e kundërshtoi miratimin e këtij ligji.

"Jam e mendimit se ky fakt mund të çojë një mesazh të rëndësishëm simbolik. Nuk mendoj që mosdhënia e fondeve do t’i minonte përpjekjet tona në Kombet e Bashkuara. Por jam e mendimit se ne kemi një pozicion të përgjithshëm në Departamentin e Shtetit, se ne i paguajmë kuotat tona në Kombet e Bashkuara."

Zonja Silverberg tha se ky ligj do të kishte pak ndikim tek Këshilli për të Drejtat e Njeriut, ngaqë financimi për organizatën e të drejtave të njeriut realizohet nga buxheti i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Por Pegi Hiks, Drejtoreshë e Avokatisë Globale e Organizatës Human Rights Watch, në New York, mbajti qëndrim të ndryshëm nga administrata dhe nga ata ligjvënës që duan t’i ndërpresin fondet për Këshillin e të Drejtave të Njeriut:

"Shpërndarja e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, pa ndonjë alternative të arsyeshme, në pamje të parë do t’u çonte një sinjal tepër të dëshpëruar viktimave të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Organizata e të Drejtave të Njeriut, siç është thënë, është një organizatë politike, ku bëjnë pjesë shtete të ndryshme dhe suksesi, apo dështimi i saj do të varej nga puna e këtyre shteteve. Në vend që të fajësohet Këshilli, Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë me përgjegjësi ato vende që nuk veprojnë mirë, duke përfshirë edhe shtete aleate, si India, Pakistani, apo Afrika e Jugut dhe duhet të nxisin për marjen e masave për çështje që kanë përparësi, si Sri Lanka, për shembull, ku Këshilli mund të bënte përmirësim të dukshëm në veprimtarinë e vet vitin e ardhshëm."

Senatori demokrat i New Jersey-t, Bob Menendez, është i të njëjtit mendim dhe ai thotë se administrata e Presidentit Bush nuk ka bërë sa duhet për t’i angazhuar vendet e ndryshme në çështjet e të drejtave të njeriut.//lk

XS
SM
MD
LG