Lidhje

Ministri i jashtëm serb në Uashington për bisedime mbi Kosovën


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç ndodhet në Uashington për bisedime me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, për të ardhmen e Kosovës dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.

Jeremiç i tha Zërit të Amerikës para një takimi sot se ky është një moment i kritik në procesin e vendosjes së statusit të Kosovës. Ai shprehu shpresë se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për t'i hapur rrugën kompromisit.

Sekretarja Rajs i siguroi udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tyre në Uashington këtë javë se Shtetet e Bashkuara mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës në një ardhme të afërt.

Në Moskë sot, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shprehu edhe një herë mbështetjen për Beogradin kundër pavarësisë së Kosovës. Ai tha se nuk mund të forcohet paqja në Evropë pa respektuar normat themelore të ligjit ndërkombëtar.

Presidenti rus i bëri këto deklarata kur pranoi kredencialet e ambasadorit të ri të Serbisë në Rusi, në një ceremoni në Kremlin.

Rusia ka qënë faktori kryesor që ndikoi në sfidimin e projekt-rezolutës së Këshillit të Sigurimit për pavarësinë e Kosovës, duke kërcënuar se do t’u vinte veton çdo rezolute që nuk pranohej na Serbia.

Negociatat e mëtejshme për statusin e Kosovës do të vazhdojnë nën mbikqyrjen e Grupit të Kontaktit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, dhe asnjë prej tyre nuk ka të drejtë vetoje.

Ministri i Jashtëm serb, Jeremic, u tha gazetarëve sot në Uashington se është i inkurajuar nga qendrimet e disa vendeve evropiane që kanë shprehur rezervime rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. //kk//

XS
SM
MD
LG