Lidhje

Jeremiç: Pavarësia e Kosovës rrezikon kthimin mbrapa të rajonit

  • Berri Uds
  • Uashington

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç bëri thirrje gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara që Uashingtoni ta rishikojë pozicionin lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Jeremiç u takua dje me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, për të ardhmen e Kosovës dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.’ Jeremiç i tha Zërit të Amerikës para takimit me sekretaren Rajs, se ky është një moment i kritik në procesin e vendosjes së statusit të Kosovës. Ai shprehu shpresë se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për t'i hapur rrugën kompromisit. Sekretarja Rajs i siguroi udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tyre në Uashington këtë javë se Shtetet e Bashkuara mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës në një ardhme të afërt. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Berri Uds, kundërshtimi i Serbisë për pavarësinë e Kosovës nuk pajtohet me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara:

Në konferencsën e shtypit që mbajti në Qendrën Kombëtare të Shtypit, zoti Jeremiç tha se të gjitha arritjet demokratike të Serbisë që nga koha e përmbysjes së Sllobodan Millosheviçit në vitin 2 mijë, do të rrezikohen, në se Kosova, në kundërshtim me dëshirën e Beogradit, deklaron pavarësinë.

"Në se Serbia ka probleme, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me pjesën tjetër të rajonit. Ashtu sikurse suksesi ynë garanton çuarjen përpara të Ballkanit Perëndimor, ekziston rreziku real që Serbia të të kthehet mbrapsht në të kaluarën dhe kjo mund ta çojë mbarë rajonin përsëri në vitet 1990",- tha Jeremiç.

Çështja shtrohet për propozimin e të dërguarit të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisaari, që bën thirrje për pavarësinë e Kosovës. Në njërën anë, plani Ahtisari ka mbështetjen e gjerë të shqiptarëve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve ervopianë. Në anë tjetër, janë Rusia dhe qeveria serbe. Beogradi ka propozuar në vend të planit Ahtisaari, autonominë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb, 32-vjeçari Jeremiç, i diplomuar në Universitetin Harvard, thotë se Serbia do të bashkëpunojë me Uashingtonin, me Brukselin dhe me Moskën, për gjetjen e një marrëveshjeje të pranueshme si për serbët, edhe për shqiptarët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët evropianë kanë rënë dakord ta shtyjnë edhe për 120 ditë çështjen e statusit të Kosovës, për t’i dhënë kohë zhvillimit të negociatave të reja, si një përpjekje e fundit për arritjen e një marrëveshjeje.

Por zyrtari serb u ankua se pozicioni i administratës Bush, që ka thënë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës, në rast se negociatat për statusin dështojnë, do të thotë se Washingtoni e ka të vendosur rezultatin përfundimtar.

"Pra, unë nuk shoh ndonjë arritje që mund të realizojnë shqiptarët gjatë këtyre 120 ditëve, kur do të zhvillohen negociata, pra ata presin që gjithshka do të vijë nga jashtë",- tha Ministri i Jashtëm serb.

Zoti Jeremiç tha se për çështjen e Kosovës nuk duhet të ketë një zgjidhje, ku njëra palë të fitojë dhe tjetra të humbë. Një rezultat i tillë, tha ai, do të nxiste një tjetër cikël pakënaqësish dhe për rrjedhojë, një reagim për zgjidhjen e asaj që perceptohet si padrejtësi. E ardhmja e shqiptarëve dhe e serbëve, tha zoti Jeremiç, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.//lk

XS
SM
MD
LG